Lajme

Talebanët ndalojnë transmetimin e BBC-së dhe Deutsche Welle-s në Afganistan


Në Afganistan, qeveria talebane ka urdhëruar që të hiqen nga transmetimi buletinet e lajmeve të “BBC”-së.

Kështu ka njoftuar transmetuesi kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar.

“Ky është një zhvillim shqetësues në një kohë pasigurie dhe turbulence për popullin e Afganistanit”, ka deklaruar kompania transmetuese “BBC”.

‘Afganëve nuk duhet t’u mohohet gazetaria e pavarur’

Kreu i gjuhëve në Shërbimin Global të “BBC”-së, Tarik Kafala, ka thënë se numërohen mbi gjashtë milionë afganë që kanë konsumuar “gazetarinë e pavarur dhe të paanshme” të “BBC”-së.

Sipas tij, është thelbësore që këtyre njerëzve të mos u mohohet qasja.

“U drejtojmë thirrje talebanëve të anulojnë vendimin e tyre dhe të lejojnë partnerët tanë televizivë të kthejnë buletinet e lajmeve të ‘BBC’-së në valët e tyre menjëherë”, ka deklaruar Kafala.

Media e lirë, ‘thelbësore’ për zhvillimin e Afganistanit

Edhe programet e kompanisë mediatike “Deutsche Welle” nuk mund të ritransmetohen më nga partnerët afganë nën goditjen e talebanëve.

“Kufizimet në rritje të lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes në Afganistan janë shumë shqetësuese”, ka pohuar drejtori i përgjithshëm Peter Limbourg.

Sipas tij, “fakti që talebanët po kriminalizojnë shpërndarjen e programeve nga partnerët mediatikë, ata po pengojnë zhvillimet pozitive në Afganistan”.

“Media e lirë është thelbësore për këtë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të vazhduar t’i ofrojmë popullit të Afganistanit informacion të pavarur nëpërmjet interneti dhe mediat sociale”, ka shtuar drejtuesi i “Deutsche Welle”.

Limbourg ka treguar se “që kur talebanët morën pushtetin, populli i Afganistanit ka pritur më kot që kushtet e tyre të jetesës të përmirësohen, ose të paktën për një shkallë normaliteti”.

Nga ana tjetër, talebanët po bllokojnë transmetimin edhe nga transmetuesi ndërkombëtar amerikan Zëri i Amerikës (VOA) në Afganistan.

Abdul Haq Hammad, zëdhënësi i talebanëve, ka konfirmuar se transmetimet televizive të Zërit të Amerikës në kanalet afgane ishin ndërprerë.

Kur talebanët morën kontrollin në gusht të vitit 2021, shumë gazetarë u larguan nga Afganistani.

Kjo masë e talebanëve për të ndaluar funksionimin e transmetuesve ndërkombëtarë ka ardhur disa ditë pasi grupi u tërhoq nga vendimi për të rihapur shkollat e mesme të vajzave.

 

Marrë nga “Deutsche Welle”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore