Lajme

Talebanët mbyllin dyert e universiteteve për vajzat


Talebanët kanë njoftuar mbylljen e universiteteve për vajzat në Afganistan.

Kështu rezulton në një letër të ministrit të arsimit të lartë.

Sipas tij, lëvizja është deri në një njoftim të dytë. Dhe pritet të hyjë në fuqi menjëherë.

Me të kufizohet edhe aksesi i vajzave në arsimin formal, pasi ato tashmë kanë qenë të përjashtuara nga shumica e shkollave të mesme.

Tre muaj më parë mijëra vajza dhe gra iu nënshtruan provimeve pranuese në universitet në të gjithë Afganistanin.

Por u vendosën kufizime gjithëpërfshirëse për lëndët që ato mund të studionin, me shkencat veterinare, inxhinierinë, ekonominë dhe bujqësinë jashtë kufijve dhe gazetarinë e kufizuar rëndë.

Vitin e kaluar, pas pushtimit të talebanëve, universitetet prezantuan klasa dhe hyrje të ndara sipas gjinisë.

Studentet mund të mësoheshin vetëm nga profesoresha.

Duke iu përgjigjur ndalimit të fundit, një studente i ka thënë “BBC”-së se mendonte se talebanët ishin të frikësuar nga gratë dhe fuqia e tyre.

“Ata shkatërruan urën e vetme që mund të më lidhte me të ardhmen time”, ka thënë ajo.

“Si mund të reagoj? Unë besoja se mund të studioja dhe të ndryshoja të ardhmen time ose të sillja dritën në jetën time, por ata e shkatërruan atë”, ka vijuar e reja.

Në Afganistan, sektori i arsimit u ndikua tej mase pas pushtimit të talebanëve dhe ka pasur një eksod të akademikëve të trajnuar pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-të vitin e kaluar.

Një tjetër studente i ka treguar “BBC”-së për “shumë vështirësitë” që ka kaluar në përpjekje për të vazhduar shkollimin e saj pas pushtimit të talebanëve.

“Ne luftuam me vëllezërit tanë, me baballarët tanë, me shoqërinë dhe madje edhe me qeverinë. Kemi kaluar një situatë të vështirë vetëm për të vazhduar shkollimin tonë”, ka thënë ajo.

Sakaq, ekonomia e Afganistanit ka qenë kryesisht e varur nga ndihma e huaj në dekadat e fundit, por agjencitë e ndihmës e kanë tërhequr pjesërisht mbështetjen për sektorin e arsimit pasi talebanët refuzuan të lejojnë vajzat në shkollat e mesme.

Shumë nga stafi pedagogjik që kanë mbetur kanë mbetur pa pagesë për muaj të tërë.

Ndërkohë, masat e fundit ka të ngjarë të shkaktojnë shqetësime të mëtejshme në komunitetin ndërkombëtar.

SHBA-të dhe vende të tjera perëndimore kanë bërë përmirësime në arsimin e vajzave në Afganistan një kusht paraprak për njohjen formale të qeverisë talebane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore