Lajme

Takimin e parë si kryeministër Spajiç e zhvillon me Von der Leyen: Detyra kryesore, përmbushja e premtimeve


Milojko Spajiç dhe Ursula von der Leyen

Takimin e parë si Kryeministër i Malit të Zi, Milojko Spajiç, e ka zhvilluar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Spajiç, i cili u zgjodh dhe mori detyrën e kryeministrit këtë të marte, në takimin me Von der Leyen ka thënë se primare për qeverinë e tij do të jetë përmbushja e premtimeve të dhëna.

“Detyra jonë më e rëndësishme është përmbushja e premtimeve që u bëmë qytetarëve të Malit të Zi. Ajo ka një qeveri evropiane dhe një shumicë të qëndrueshme politike që do të kontribuojë në mbylljen e kapitujve më të rëndësishëm të negociatave dhe do të përshpejtojë reformat e nevojshme”, shkroi Spajiç në Facebook.

Këto takime të Presidentes së Komisionit Evropian në Mal të Zi, janë në kuadër të turit ballkanik që Von der Leyen e ka nisur në fillim të kësaj jave.

Në Mal të Zi, ajo është takuar edhe me presidentin Jakov Milatoviç.

Ndryshe, Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani (PES)”, mëngjesin e të martës është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

Në kabinetin e tij, do të jenë edhe tre shqiptarë, derisa njëri prej tyre, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj do jetë zëvendëskryeministër.

Spajiç në pozitën e kryeministrit do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in e Lëvizjes Qytetare “URA”, i cili së bashku me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe boshnjakët do jetë në opozitë.

Milojko Spajiç zgjidhet kryeministër i Malit të Zi, tre shqiptarë pjesë e kabinetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore