Lajme

Milojko Spajiç zgjidhet kryeministër i Malit të Zi, tre shqiptarë pjesë e kabinetit


Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani (PES)”, mëngjesin e të martës është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

Në kabinetin e tij, do të jenë edhe tre shqiptarë, derisa njëri prej tyre, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj do jetë zëvendëskryeministër.

Spajiç në pozitën e kryeministrit do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in e Lëvizjes Qytetare “URA”, i cili së bashku me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe boshnjakët do jetë në opozitë.

Tanimë është bërë edhe ceremonia e pranimit-dorëzimit të detyrës.

Abazoviq dhe Spajiq, Foto: Dritan Abazovic/Facebook
Dritan Abazoviç dhe Milojko Spajiç

Abazoviç i ka uruar fat Spajiç-it në detyrën e tij.

“Siç diktojnë sjelljet demokratike, dorëzimi i detyrave u bë sot në mëngjes! I urova fat të mirë kryeministrit të ri dhe qeverisë së 44-të. Mali i Zi gjithmonë të llogarisë vetëm në suksese dhe të qëndrojë në rrugën e duhur”, ka shkruar Abazoviç në Facebook.

Lëvizja Evropa Tani si bartëse e koalicionit qeverisës do t’i ketë 9 ministri.

Ministrat nga PES janë Filip Ivanoviç (Punëve të Jashtme), Maida Gorçeviç (Punë Evropiane), Angjela Jakshiç Stojanoviç (Arsim, Shkencë dhe Inovacion), Novica Vukoviç (Financave), Filip Raduloviç (Transportit).

Po ashtu, nga kjo parti do jetë edhe Andrej Miloviç (Planifikimit Hapësinor, Urbanizmi dhe Pronave Shtetërore), Vojislav Simun (Shëndetësisë), Naida Nisiç (Punës dhe Kujdesit Social) dhe Sasha Mujoviç (Energjia dhe Miniera).

Nga ana tjetër, lideri i demokratëve Aleksa Beçiç, është Zëvendëskryeministër për Sigurinë, Politikën e Brendshme, Çështjet Evropiane dhe të Jashtme, ndërsa Momo Koprivica zëvendëskryeministër për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Kundër Korrupsionit.

Dragan Krapoviç është Ministër i Mbrojtjes, Vladimir Martinoviç është Ministër i Turizmit, Ekologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa Tamara Vujoviç është Ministre e Kulturës dhe Mediave.

Ministër i Punëve të Brendshme është Danilo Sraranoviç.

Boris Bogdanoviç ishte propozuar për pozitën e Ministrit të Brendshëm, por ai mbrëmë njoftoi se po tërhiqej “për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore të dy anëtarëve të familjes së ngushtë”.

Demokratët propozuan një tjetër kandidat për ministër të Punëve të Brendshme, Sharanoviç, nënkryetar aktual i Podgoricës.

Zëvendëskryeministri për Punë, Arsim, Shëndetësi dhe Çështje Sociale është Srdan Paviçeviç nga CIVIS.

Sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Xheka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Presidenti i Partisë Popullore Socialiste (SNP) Vladimir Jokoviç është Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, dhe Zëvendës Presidenti i PKSH Dragoslav Sçekiç është Zëvendëskryeministër për Demografinë dhe Ministër i Sportit dhe Rinisë.

Zgjedhja e ekzekutivit të ri malazez mëngjesin e së martës, vjen pas konstituimit të kuvendit malazez, ku një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb është zgjedhur kryetar i kuvendit.

Zgjedhja e Spajiç-it në krye të ekzekutivit malazez vjen pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore