Lajme

Takimi vjetor i Bankës Botërore dhe FMN-së nis nga 9 tetori


Takimi vjetor i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të fillojë më 9 tetor në qytetin maroken të Marakech dhe do të zgjasë deri më 15 tetor.

Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore nga më shumë se 190 vende do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje dhe qëllimi i mbledhjes, sipas drejtoreshës së FMN-së, Kristalina Georgieva, është “ndërtimi i urave për rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në të ardhmen”.

Siç thuhet në faqen e Bankës Botërore, ngjarjet më të rëndësishme të këtij takimi përfshijnë konferencën për shtyp të Bankës Botërore, e cila do të mbahet më 11 tetor, si dhe konferencën për shtyp të FMN-së një ditë më vonë.

Mbledhja e Komitetit të Zhvillimit të FMN-së do të mbahet më 12 tetor, ndërsa seanca plenare e mbledhjes më 13 tetor.

Komiteti Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) do të mbajë një mbledhje më 14 tetor.

Të pranishmëve do t’i drejtohen presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, Drejtoresha e FMN-së Kristalina Georgieva, Drejtoresha e UNICEF-it Catherine Russell, Ministrja marokene për Tranzicionin e Energjisë dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Leila Benali dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Banka Botërore dhe FMN-ja vendosën që nga data 9 deri më 15 tetor të mbajnë takimin vjetor të planifikuar më parë në Marrakesh së bashku me autoritetet marokene në atë vend, i cili u godit nga tërmeti i 8 shtatorit.

“Që nga tërmeti shkatërrues në Marok më 8 shtator, Banka Botërore dhe FMN kanë punuar ngushtë me autoritetet marokene dhe një ekip ekspertësh për të vlerësuar plotësisht kapacitetin e Marrakeshit për të pritur takimet vjetore në vitin 2023”, tha më herët FMN.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore