Lajme

Takimi i Vuçiç-it me Erdogan-in, “Kosova të jetë temë patjetër”


Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic dhe ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Kosova pa diskutim do të jetë një nga temat kryesore të takimit në mes të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe atij turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Suzana Grubjesiç, politikanja serbe, e cila gjatë viteve 2012 deri 2014 shërbeu si zëvendës-kryeministre e Serbisë, nën qeverinë e Ivica Daçiç.

Grubjesiç, tani zëvendës-presidente e Qendrës për Politika të Jashtme në Serbi, kujtoi se ishte presidenti turk që kishte bërë një njoftim se do të lëshojë një kampanjë në mbështetje të Kosovës për të sjellur njohje të reja për vendin.

Politikanja serbe tha se Vuçiç duhet të takohet me Erdogan-in në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ta shtrojë këtë çështje.

Suzana Grubjesiç, ish zëvendës-kryeministre e Serbisë

“Gjatë takimit, tema e Kosovës nuk duhet të përflitet kalimthi, por duhet të jetë nga temat qendrore”, deklaroi ai, përcjell agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

“Edhe në raste të tjera, sa herë diskutohen çështjet regjionale, Kosova duhet të jetë temë e bisedës”.

Kosova dhe Serbia nga 4 shtatori janë liruar edhe nga obligimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, ku nënshkruan pajtim dy-palësh me presidentin e atëhershëm të SHBA-ve, Donald Trump, se për një vit Kosova nuk do kërkojë njohje të reja e Serbia s’do tentojë të bindë shtetet njohjes ta kthejnë njohjen prapa.

Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës në Kosovë në vitin 2013 sa ishte ende kryeministër i Turqisë, në qytetin e Prizrenit, i pritur nga një turmë e madhe qytetarësh. Gjatë kësaj vizite në një fjalim të tij kishte deklaruar se “Kosova është Turqi”. 

Memorandumi i arritur nuk ishte respektuar në tërësi nga asnjëra palë, për arsye të ndryshme.

Në Kosova ndërrojë qeveria dhe në vend të Avdullah Hotit, kryeministër u bë Albin Kurti. Qeveria e tij nuk e njohu marrëveshjen e arritur.

Në anën tjetër, Serbia vazhdojë lobimin nën radar duke tentuar të bind shtetet, sidomos ato afrikane, ta çnjohin Kosovën.

Tash kur janë bërë më shumë se 10 ditë që ka kaluar detyrimi ndaj marrëveshjes lëvizje nuk ka pasur nga asnjëra palë, përkundër prokalmimeve.

Serbia thoshte se janë diku 10 shtete që po presin ta çnjohin Kosovën, por ende s’ka ndodhur diçka e kësaj natyre.

Në anën tjetër Kosova gjendet në një moment fragjil politik, pasi ka tërhequr ambasadorët politik në 12 shtetet dhe nuk i ka emëruar zëvendësuesit e tyre.

Kjo ishte arsyeja që Kosova nuk aplikoi as për anëtarësim në INTERPOL, meqë jo veç lobimi, por edhe vetë prezenca fizike e ambasadorëve kishte munguar gjerësisht vitin e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore