Lajme

Takimi i vështirë ku vetëm duhet të dëgjosh e të mos flasësh


Jake Sullivan dhe Albin Kurti në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower

Të mërkurën e 18 majit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e tij zyrtare ka realizuar takimin më të rëndësishëm të vizitës së tij përgjatë 12 ditëve qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pari i ekzekutivit ka takuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Ajo çfarë bie në sy është se fotografia e zbuluar nga takimi nuk është në një zyre, siç rëndom (duhet të) ndodhë, por në një korridor pranë shkallëve.

Korridori nuk është ndonjë pjesë e Shtëpisë së Bardhë, megjithatë, s’është as larg saj –  te ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower (EEOB), aty ku në mesin e shumë zyrave gjendet edhe zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ndërtesa në fjalë e njohur më herët edhe si ndërtesa e vjetër e Zyrës Ekzekutive e cila në vete përmban një mori agjencish që janë pjesë përbërëse e Zyrës Ekzekutive të Presidentit si dhe të Zyrës së Zëvendës Presidentit, ndodhet pranë krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe njihet për nga pesha historike kombëtare e SHBA-ve.

Shkallët e ndërtesës së Zyrës Ekzekutive Eisenhower

Pikërisht pesha historike që mbart kjo ndërtesë, e cila u ndërtua midis viteve 1871 dhe 1888 dhe në atë kohë u cilësua si ndërtesa më e madhe për nga numri i dhomave, saktësisht 566 dhoma, determinon edhe rëndësinë e këtij takimit të djeshëm.

Përveç rëndësisë, ndërtesa në fjalë e cila për një kohë ishte edhe selia e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në njëfarë mënyre tregon edhe peshën e temave me të cilat është përballur Kurti gjatë takimit me Sullivan.

Sullivan, i cili këshillon Presidentin Biden në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, është pasardhësi i shumë personaliteteve të fuqishme politik të SHBA-ve, të cilët një kohë kanë qenë këshilltarë si vetë ai, e nga këtu janë emëruar Sekretarë Shteti për të përcaktuar Politikën e Jashtme amerikane, në kohët më kritike të saj.

Afërsia ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe ndërtesës së Zyrës Ekzekutive Eisenhower

Ndonëse Sullivan, shquhet për ambicien e tij politike si Këshilltari më ri i Sigurisë Kombëtare tash e 60 vjet, nuk dihet se a do të mund të ndjek hapat e paraardhësve të tij si Henry Kissinger e Colin Powell për të drejtuar diplomacinë amerikane. Megjithatë një gjë është e sigurt, në takimin me Kurtin përveç dialogut që rrjedhimisht është edhe prelud i diplomacisë, ka pasur shumë çka tjetër.

Ose më mirë thënë ka pasur urdhra të qarta rreth konsekuenca(ve) të rënda, të cilat po nuk u zbatuan, në një mënyrë apo tjetrën, mund të sjellin fundin politik të Kurtit.

Takimet në këto dhoma të cilët rëndom janë takime kokë më kokë, përveç vështirësisë së temave që trajtohen karakterizohen si takime të llojit monolog, ku nikoqiri të ftuarit i prezanton një “road map” se si ky i fundit duhet të ndërthurë politikat e vendit të tij.

Mysafiri i cili ka për detyrë vetëm të dëgjojë, pasi këshillohet, është i lirë që të zgjedh, ose pajtohet me urdhrat e prera e qëndron në pozitë ose përballet me pasojat e saja politike.

Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower nga jashtë

Në këtë shtëpi të rëndësishme amerikane, takime të tilla të zorshme kanë pasur shumë liderë shqiptarë.

Ndër ta, lideri historik, Ibrahim Rugova.

Atij, si gjithë të tjerëve pas tij, në momente kritike për shqiptarët e Kosovës i ishin treguar alternativat, por pa iu kërkuar një alternativë.

Në takim, edhe pse zyrtarisht jo gjithmonë tregohet, marrin pjesë krerë agjencish amerikane të inteligjencës. Nga ajo që njihet si Komuniteti i Inteligjencës Amerikane, i përbërë nga 18 organizata, janë të paktën gjashtë shefa nga këto organizata që informojnë dhe deliberojnë situatën për Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, në këtë rast Jake Sullivan.

Veç Rugovës, takim në këtë shtëpi të rëndësishme të politikës amerikane, kanë pasur edhe Hashim Thaçi dikur dhe më pas Kadri Veseli.

Vetë Kurti pas takimit, në njoftimin për media, nuk tregoi shumë.

Qeveria lëshoi një komunikatë se është biseduar, pos tjerash, për dialogun, situatën në Ukrainë dhe implikimet e sigurisë që sjell ajo dhe afganët që Kosova pranoi t’i strehojë përkohësisht.

Por, çfarë i është thënë Kurtit në takim, në ditët e ardhshme nuk pritet të dëgjohet, sa pritet të shihet.

Historia tregon se varësisht se si përpunohen udhëzimet e marra në një takim të tillë, determinohet e ardhmja politike, jo vetëm e një lideri, por në shumë raste, edhe e një vendi të tërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore