Lajme

Tajlanda shtyn shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca


Tajlanda ka vonuar shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca Covid-19, për shkak të frikës se shkakton mpiksje gjaku, pavarësisht se nuk ka prova për këtë.

Kryeministri i vendit pritej të niste vaksinimin, pasi të merrte dozën e parë, të premten e 12 marsit. Por, tashmë është anuluar.

Kjo vonesë erdhi pasi një numër vendesh, duke përfshirë Danimarkën, Norvegjinë dhe Islandën, pezulluan përdorimin e vaksinës.

Rreth 5 milionë evropianë tashmë kanë marrë vaksinën AstraZeneca.

Nga kjo shifër, rreth 30 raste kanë raportuar për mpiksje gjaku.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) të enjten tha se nuk ka asnjë indikacion se vaksina  shkakton mpiksjen e gjakut. EMA shtoi se “përfitimet e saj vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj”.

AstraZeneca tha se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht në provat klinike.

Sidoqoftë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetit Publik sqaruan se grumbulli i vaksinave AstraZeneca janë të ndryshme nga ato të shpërndara në Evropë, duke shtuar se problemet e mpiksjes së gjakut nuk janë zbuluar akoma midis aziatikëve.

Grupi i parë, me 117 mijë e 300 doza të vaksinave AstraZeneca, mbërriti në Tajlandë më 24 shkurt, së bashku me 200 mijë doza të vaksinave të Kinës Coronavac.

Më shumë se 30,000 njerëz në Tajlandë kanë marrë tashmë Coronavac që kur vendi nisi programin e tij të vaksinimit më 28 shkurt. Tajlanda thotë se do të vazhdojë me përhapjen e saj Coronavac.

Vendet e tjera

Në Mbretërinë e Bashkuar, Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) tha se nuk kishte prova që vaksina ka shkaktuar probleme.

Sipas MHRA, janë administruar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 11 milionë doza të vaksinës Covid-19 AstraZeneca.

Australia, së cilës tashmë i janë dërguar 300 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, gjithashtu tha se do të vijojë me vaksinimin.

Departamenti i Shëndetësisë në Filipine ka thënë gjithashtu se nuk ka “asnjë arsye” për të ndaluar vaksinimin atje.

Koreja e Jugut po vazhdon me përhapjen e vaksinave, megjithëse disa kanë shprehur shqetësime. Rreth 785 mijë doza vaksinash tashmë kanë mbërritur atje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore