Lajme

Tahiri: Uniteti LDK-UÇK në Rambuje mundësoi krijimin e dy shteteve shqiptare


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, duke përkujtuar 25-vjetorin e Konferencës së Rambujesë në Paris të Francës (6 shkurt 1999), tha se uniteti midis Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kulmoi me shtetin e dytë të pavarur të shqiptarëve në rajon.

Delegacioni i Kosovës rreth negociatave të paqes përbëhej nga anëtarë të LDK-së dhe UÇK-së që deri atëherë kishin qëndrime të kundërta rreth situatës në Kosovë. Megjithatë, delegacioni kosovar e nënshkroi marrëveshjen, kurse delegacioni serb e refuzoi, duke detyruar NATO-n të nisë sulmet ajrore më 24 mars 1999 ndaj ushtrisë dhe policisë serbe.

“Bashkimi midis LDK-së dhe UÇK-së e mundësoi pranimin e Marreveshjes së Rambujesë – ne bëmë kthesë në historinë e Kosoves, fuqizuam gjeopolitikën kombëtare dhe i bëmë dy shtete shqiptare”, shkroi Tahiri të martën, duke iu referuar krisjeve që ekzistonin në udhëheqjen e atëhershme kosovare që mund të çonte – ndoshta – në mosndërhyrjen e NATO-s.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane, udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Më 24 mars 2024 bëhen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë trans-atlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhynë në një territor pa pasur mandat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore