Lajme

Tahiri: S’kemi fare presidente, Osmani është e dominuar nga Kurti


Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova nuk ka fare presidente.

“Sipas meje nuk kemi presidente fare. Vjosa Osmani është e dominuar komplet nga Kurti”, ka thënë Tahiri gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Ajo po ashtu ka treguar se është kontaktuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, por Tahiri ka shtuar se ka kërkuar të jetë kryenegociatore ose zëvendëskryeministre.

“Ia thashë kushtet, nuk pati plotësim”, shtoi ajo.

Teksa ka folur për dialogun me Serbinë, Tahiri ka potencuar se kryeministri Albin Kurti përmes draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “i ka dhënë autonomi minoritetit serb”.

“E ka pranuar Republikën Srpska në Kosovë. Rezoluta 1244 e kthen Kosovën pas, i jep UNMIK-ut sovranitet”, shtoi Tahiri.

Prandaj, ish-kryenegociatorja ka insistuar që Asociacioni duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

“E kemi obligim të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, të mos lejohet niveli i tretë i qeverisjes”, potencoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore