Lajme

Tahiri: Me buxhetin e 2024-ës, Qeveria goditi shtyllat vitale të ekonomisë


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se me prokjekt-buxhetin për vitin 2024, Qeveria ka goditur shtyllat vitale të ekonomisë.

Sipas tij, buxhetin e kanë kthyer në skema sociale, jo për të përmirësuar jetën e pensionistëve e as të punësuarve në institucione shtetërore.

“Me një lexim të kujdesshëm shihet qartë se me këtë dokument qeveria ka goditur shtyllat vitale të ekonomisë, e ka kthyer buxhetin në skema sociale, jo për të përmirësuar jetën e pensionistëve e as të punësuarve në institucione shtetërore, por duke e çkepur paranë publike për qëllime elektorale”.

Ai ka theksuar se për tri vjet Qeveria aktuale s’ka bërë asgjë.

“Shpejt ju vie fundi edhe juve, ju shkuan 3 vjet e kryhet edhe viti 2024. Turp!”, ka shkruar Tahiri në ‘Facebook’.

Kuvendi i Kosovës këtë të enjte do të mbajë seancë plenare në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Në këtë seancë e cila pritet të nis në orën 10:00, nuk ka pika të tjera të rendit të ditës.

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar projektbuxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se për sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

Ndërsa 860 milionë euro, sipas Kurtit, do të jetë buxheti për mbështetjen e investimeve të reja kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore