Lajme

Tahiri kritikon qasjen e Qeverisë së Kosovës: Merr pjesë në dialog pa u ndëshkuar Serbia


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për çështje teknike në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka kritikuar qasjen e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ekzekutivi kosovar nuk ka strategji për udhëheqje, por vetëm raporton rreth procesit.

Tahiri ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në procesin e dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), përkundër se Serbia nuk është sanksionuar akoma nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Qeveria jonë nuk udhëheq, por vetëm raporton (për sulmin në Banjskë). Asnjë strategji nuk ka, madje BE-ja bëri një veprim – hoqi ndërmjetësit dhe vuri tre liderë evropianë – Serbia nuk u ndëshkua, ndërsa këtë javë qeveria merr pjesë në dialog pa u ndëshkuar Serbia”, ka shkruar Tahiri.

BE-ja deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore