Kosova

Tahiri kërkon që ta sjellin projektligjin për Trustin në Kuvend


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Kryetari i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se as këtë javë nuk do të vij në seancë projektligji për tërheqjen e Trustit.

“Kemi prit që të trajtohet projektligji i prezantuar nga PDK për tërheqjen e Trustit. Një çështje e tillë ende qenka në komisionin për Buxhet dhe Transfere. Ne i kërkojmë komisionit që ta sjellë sa ma shpejt”, tha Tahiri në konferencë për media.

Ai shtoi se pret që të hënën e ardhshme në mbledhjen e kryesisë të sjellët ky projektligj.

“Këtë te enjte nuk do te jetë e mundur që të trajtohet, një projektligj shumë pritur nga qytetarët e Kosovës. Besoj qe te hënën e ardhshme kur do të jetë mbledhja e ardhshme e kryesisë, të jetë i gatshëm dhe ta prezantojmë ne seancën e ardhshme dhe të arrijmë një kompromis që t’i lejoj qytetarët të tërheqin një shumë të caktuar duke pas parasysh situatën ekonomike”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi që ky projektligj sa më shpejt të vijë në Kuvend.

“Silleni sa më shpjet projektligjin në Kuvend, për shkak se tashmë edhe deputetët e shumicës e dinë se sa e rëndësishme është që të punësuarit që kanë paratë e tyre në Trust, t’i tërheqin ato në këtë krizë të madhe”, theksoi ai.

Trusti.

Më 30 prill, ministri i Financave, Hekuran Murati, ishte deklaruar rreth kërkesës për tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale, duke potencuar se tërheqja e mjeteve nga Trusti në vitin 2020 ka pasur një efekt negativ në ekonomi.

Sipas tij, tërheqja e 10 për qind të Trustit e miratuar nga Qeveria e ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka lënë një hendek në financat publike prej 110 milionë eurove, e cila duhet paguar në formë të rimbursimit.

“Në vend se me politikat fiskale, me paratë që i mbledhim për buxhet të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët,  për t’i rritur pensionet apo për të rritur mbështetjen për familjet në kushte sociale, neve na duhet që 110 milionë eurot e tërhequra herën e parë nga Trusti duhet t’i paguajmë. Kjo politik ka qenë e papërgjegjshme kur ka ndodhur atëherë”, tha ai.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës në seancën plenare këtë të premte të 13 majit nuk ka arritur të miratojë Projektligjin për pagën minimale, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm në shqyrtimin e parë.

73 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por vetëm 56 prej tyre morën pjesë në votim, me 51 vota për dhe 5 kundër.

Ishin deputetët e partive të opozitare që votuan kundër, me pretekstin se veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë përfshirë në pagën minimale, në mënyrë që edhe ata të kenë pensionin me vlerë të njëjtë të pagës minimale.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se projektligji do të hidhet sërish në votim në ndonjë seancë tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore