Lajme

Szunyog takon kryetarin e OEK, kërkon përfundimin e kufizimeve për mallrat nga Serbia


Tomasz Szunyog dhe Lulzim Rafuna

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafunën për të diskutuar mbi klimën e biznesit në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Szunyog ka bërë të ditur se gjatë takimit me Rafunën ka theksuar rëndësinë e tregtisë së lirë me vendet fqinje dhe përfundimin e kufizimeve për mallrat nga Serbisë.

“Takova kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për të diskutuar mbi klimën e biznesit në Kosovë, potencialin e rritjes dhe mbështetjen e BE-së”, ka potencuar Szunyog.

Ndryshe edhe Oda Ekonomike Amerikane kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të rishqyrtohet masat që kufizojnë importet nga Serbia, edhe pse vendimi për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, nuk ishte publikuar asnjëherë zyrtarisht deri tani.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur.

Megjithatë Albanian Post më 15 qershor nga burime brenda Qeverisë së Kosovës kishte kuptuar se vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga ekzekutivi nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Burime të Albanian Post kishin thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.

“Me gjasë pati ndërhyrje nga jashtë, sepse ishim gati dhe prisnim që vendimin t’ia dorëzonim Ministrisë, por nuk u bë”, kishte thënë burimi për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore