Kosova

Szunyog: Pres shpejt të formohen institucionet e Kosovës


“E vlerësoj që KQZ ishte në gjendje të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve më pak se një muaj pas ditës së zgjedhjeve. Pres që institucionet e Kosovës (parlamenti, qeveria dhe presidenti) të themelohen së shpejti dhe të fillojnë të punojnë për të mirën e popullit të Kosovës”.

Kështu ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ai ka përgëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve për më pak se një muaj.

KQZ-ja certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.

Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara.

Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore