Lajme

Szunyog: E mirëpres gatishmërinë e Konjufcës që të konsultohet me Komisionin e Venecias për Ligjin e ri të KPK-së


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias për amendamentet e rishikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili ishte miratuar në mbledhjen e 13 korrikut të Qeverisë së Kosovës.

“E mirëpres gatishmërinë e Glauk Konjufcës që të konsultohet me Komisionin e Venecias për amendamentet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave”, ka shkruar ai.

 

Ai ka theksuar se rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 13 korrikut, ka votuar pro projektligjit për plotësim ndryshimin për Ligjin Prokurorial, projektligj ky i cili fillimisht nuk kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, pati thënë për Albanian Post se vendimi i Qeverisë për plotësim ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është tentativë re e Qeverise për të cenuar pavarësinë e KPK-së.

“Është një iniciativë e njëanshme e Qeverisë së Kosovës për ta bërë edhe një draft-ligj jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetueses e cila përmbysi edhe tentativën e parë për ndryshim të këtij Ligji”, tha Maloku.

Sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim “i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës”, i cili minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet relevante të drejtësisë.

“Kapja e KPK-së nga pushteti” – Çka thuhet në projektligjin e ri të miratuar nga Qeveria

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore