Shqipëria

Synimi ynë nuk është të çojmë një zgjatim të PS-së në Presidencë, por një person që rri mbi palët – thotë Gjiknuri


Partia Socialiste nuk ka për qëllim thjesht të vendosë një president nga radhët e saj, por dikë që qëndron mbi palët dhe këtë argument, e ka prezantuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i forcës së majtë politike, Damian Gjiknuri.

Në një takim me gazetarët, Gjiknuri ka folur pikërisht mbi zhvillimet e fundit sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri dhe propozimeve konkrete.

Vetëm një ditë më parë, nga radhët e socialistëve, u deklarua se ishte vendosur të kishte tre negociatorë për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Grupi socialist do të përfaqësohet nga vetë Gjiknuri, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali.

Në rastin optimal, për sekretarin e Përgjithshëm socialist, zgjedhja e qytetarët të parë të vendit duhet bërë me dakordësi politike mes palëve.

Gjithsesi, ai nuk e mohoi faktin se PS-ja i ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, pas raundit të tretë.

“Edhe sikur Presidenti të zgjidhet me 71 vota, unë e them me bindje se synimi ynë nuk është thjesht të çojmë një zgjatim të Partisë Socialiste në zyrën e Presidentit”, tha Gjiknuri, duke nënvizuar se të majtët, duan një njeri mbi palët, pavarësisht faktit se kush e ka propozuar personin.

Mbi emrat konkretë, është shumë shpejt për të folur sipas tij. Ndërsa, mbi mundësinë që për herë të parë të kemi një presidente grua, ai nuk e mohoi si qasje.

“50% e popullsisë gra janë kështu që probabiliteti është i lartë që një grua ta kemi në krye të shtetit. Nuk mendoj se në Shqipëri do të ishte habi që një grua mund të ishte Presidente, sepse gratë janë në shumë pozicione drejtuese të këtij vendi”, përmbylli ai Gjiknuri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore