Kosova

Synime të mëdha në veri me udhëheqës me ‘u’ të vogël


Ilustrim/Albanian Post

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveqan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – mund të rikthehen sërish, duke shtuar shtresa të tjera në një atmosferë tashmë të njohur.

Kryetarëve të rinj të katër komunave veriore – Imri Zeqiri, Erden Atiç, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci – në prag të skadimit të afatit për caktimin e seancës ku do të duhet të marrin zyrtarisht mandatet e tyre siç përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, po iu thuhet se nuk janë kryetarë normalë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, më 2 maj në Bruksel, kur u pyet në lidhje me “propozimin e Bashkimit Evropian për djegien e mandateve”, refuzoi të përgjigjej, duke vazhduar të fliste për domosdoshmërinë e zgjedhjeve në veri.

Kryetarët e rinj do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, deklaroi kreu i ekzekutivit. Pra, udhëheqës të vegjël, por me synime të mëdha për veriun – shtrirjen dhe zgjerimin e sovranitetit institucional të Kosovës karshi ndikimit e ndërhyrjes së jashtme të Serbisë, përkatësisht Listës Serbe.

“Ata nuk do të jenë udhëheqës komunalë me ‘U’ të madhe, por udhëheqës me ‘u’ të vogël. Unë kam dhënë instruksione të mos ketë tirumfalizëm pas këtyre zgjedhjeve, por këta kryetarë duhet të formojnë qeverisje multi-etnike dhe t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.

“Arkitektura e shtetit të Kosovës nuk lejon që qytetari të ngelet pa komunë. Andaj tash i kemi kryetarët e komunës dhe do të doja të kishim rrethana të tjera dhe të mos kishim dalje të ulët, por kjo vjen si pasojë e braktisjes së institucioneve nga Lista Serbe dhe bojkotit të zgjedhjeve”, shtoi ai.

Megjithatë, kryeministri deklaronte se ajo që ka rëndësi nga ky proces është legaliteti, ngase sipas tij, ciklet elektorale nuk janë vetëm të drejta për qytetarët, por edhe obligime ligjore, duke përmendur këtu edhe faktin se autoritetet kosovare i patën shtyrë një herë zgjedhjet, se nuk mund t’i shtynin sërish.

“Tash i kemi katër kryetarë të rinj komunash. Unë e kuptoj se këta nuk janë kryetar normalë komunash në kuptimin normal e standard të fjalës, mirëpo legaliteti është i domosdoshëm”, thoshte shefi i qeverisë para mediave të pranishme në Bruksel.

Tash edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, po i sheh kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës si udhëheqës “teknik”, e jo politik, derisa zgjedhjet janë gjithëherë dhe gjithkund veç politike, e jo “teknike”.

Presioni i ngjarjeve, normalisht mund t’i bëjë edhe politikëbërësit më racionalë të futen në mbulesën e rehatisë së zgjidhjeve afatshkurtra. Por diplomati amerikan pohoi se SHBA-ja nuk dëshiron të shohë akte kriminale që do të pengonin punën e “përkohshme” të kryetarëve të rinj.

“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën”, tha Hovenier.

“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar. Të gjitha partitë – veçanërisht zyrtarët e zgjedhur – të veprojnë në mënyrë që të ulin tensionet”, shtoi ai.

SHBA-të vërtetë nuk do ta tolerojnë dhunën në veri të Kosovës. Pas vërejtjes së Hovenier-it edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi të mërkurën një bisedë telefononike me Vuçiç-in për “nevojën e shmangies së provokimeve dhe konflikteve” në Kosovë.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetartët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Synimet e mëdha të udhëheqësve me ‘u’ të vogël janë të qarta, të prishin status quo-n në veri duke vendosur më shumë pushtet institucional të Kosovës, por siç po parashikohet tashmë, vazhdimësia e dialogut Kosovë-Serbi do ta çojë veriun në zgjedhje të jashtëzakonshme, sëshpejti.

Thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një axhendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri realisht ka çdo gjë ngapak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore