Sport

Sylvinho tregon pse pranoi të bëhej trajner i kuqezinjve


Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, ka treguar gjatë një podcasti me kryeministrin e vendit, Edi Rama, se pse zgjodhi të trajnonte kuqezinjtë në rrugëtimin drejt evropianit dhe çfarë e bindi atë të merrte këtë rol.

Sipas brazilianit, gjëja kryesore në futboll është komunikimi dhe atij i pati bërë përshtypje se si që prej afrimit në fillim nga presidenti i Federatës, Armand Duka, ishte në gjuhën italiane, të cilën ai e lëvron.

“Unë kisha eksperiencë me kombëtaren braziliane, pak, dhe më tej edhe me klube futbollistike. Por është tjetër punë kjo e trajnimit të një kombëtareje”, tregon Sylvinho.

Më tej, ai rrëfen se si pas ofertës fillestare (ende të pa pranuar prej tij), nisi të shihte lojtarët shqiptarë, të cilët luanin jashtë vendit.

“Aty pashë se ata flisnin rrjedhshëm italisht, anglisht dhe kuptova kështu se nuk do të kisha asnjë problem komunikimi me ta, përfshi edhe me stafin e brendshëm të federatës dhe presidentin Duka”, shton braziliani.

Teksa, çasti që e bindi tërësisht, ishte një darkë që kishte pasur me eksponentë të Federatës, ku pas një telefonate që pati me ndihmësin e tij, Pablo Zabaleta (ky i fundit e pranoi menjëherë detyrën për të qenë krahu i djathtë i Sylvinhos), u përcaktua se do të merrte drejtimin e kombëtares.

Një raport i veçantë në fakt është ai me Zabaletën, pasi si rrallëherë, një brazilian dhe një argjentinas bëhen bashkë për të drejtuar një kombëtare (rivaliteti i Brazilit dhe Argjentinës në futboll është ndër më të ashprit në botë).

Njohja e tyre ka ardhur që prej ditëve në Manchester, ku u njohën fillimisht, me Sylvinhon që vinte prej një eksperience të madhe te Barcelona dhe Arsenal e Zabaleta, që ishte ende lojtar i ri.

Aty filloi edhe një miqësi mes të dyve, e vila vijon ende dhe sot, ku tashmë ndajnë detyra.

Me shaka, të pyetur se kush është më e mirë, Argjentina apo Brazili, përmenden shumë kupa bote të fituara (5 nga Brazili dhe 3 nga Argjentina).

Por me rëndësi është që pavarësisht ndryshimeve të mëdha mes dy popujve, të gjendet rruga e duhur drejt bashkëpunimit, për të bërë më të mirën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore