Sport

Sylvinho kërkon lojtarë që i përballojnë sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë, pak shpresa për Brojën


Nuk ka më pushime për trajnerin e kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, i cili ka nisur intensivisht punën për përgatitjen e dy ndeshjeve kualifikuese të kampionatit evropian, kundrejt dy rivaleve kryesore në grup: Republikës Çeke dhe Polonisë.

E para, në transfertë, teksa e dyta sfidë do të luhet në stadiumin kryesor të Tiranës, “Air Albania”.

Braziliani komenton lëvizjet që kanë bërë disa lojtarë të Kombëtares, si Ramadani, Seferi, Sadiku, të cilët kanë ndryshuar skuadër në këtë merkato dhe si kanë ndikuar tek ai këto transferime.

Gjithashtu ai zbulon edhe situatën me Armando Brojën dhe çështjen për grumbullimin e tij në dy takimet e ardhshme për kualifikueset e Evropianit 2024.

I pyetur fillimisht se si i ka kaluar pushimet, Sylvinho ka treguar se gjithçka ka shkuar mirë dhe se prej 31 korrikut ka nisur punën përgatitore, së bashku me federatën.

Lidhur me transferimet e lojtarëve shqiptarë në Serie A, si Ylber Ramadani, apo Stiven Shpendi, Sylvinho ka komentuar se i njeh të dy dhe se vendimet për përfshirjen e tyre apo jo, do t’ia lërë formës fizike.

“Në këto momente, për të qenë të sinqertë, kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara, shumë të vështira si fizikisht dhe teknikisht. Ne do të shkojmë me 23-24 lojtarë që janë të aftë dhe në gjendje për t’u përballur me këta kundërshtarë në këto dy sfida të rëndësishme”, theksoi Sylvinho.

Lidhur me Brojën ndërkaq, ai nënvizoi se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me ekipin e Chelsea, për të parë nëse ai mundet apo jo të luajë.

“Lajmi që kemi është se Chelsea ka një protokoll për Brojën, pasi vjen nga një dëmtim i gjatë dhe nuk është e lehtë që të vijë. Unë kam folur edhe me lojtarin dhe duhet të respektojmë këtë moment mes federatës dhe Chelsea”, shtoi ai.

Megjithatë, përgjigjet paraprake nga departamenti mjekësor i Chelsea nuk janë të mira dhe protokollet duhen zbatuar.

Grumbullimi do të jetë më 29-30 gusht dhe gjasat janë që Broja, të mos jetë gati për dy ndeshjet më të rëndësishme të kombëtares këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore