Kosova

Sveçla: Situata e sigurisë është stabile, kërkohet vigjilencë e shtuar nga organet


Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se një vit më parë Kosova po përballej me pandeminë, por jo me luftën siç po përballet Evropa aktualisht.

Sveçla, ka deklaruar se lufta në Ukrainë i ka bërë që ta kuptojnë edhe më mirë se kush është Serbia.

“Ne duke e pasur një fqinj që mbështetë politikat ruse, e dimë që ka pretendime territoriale. Natyrisht që nuk i dorëzohemi kësaj çështjeje dhe jemi të gatshëm të shtyjmë përpara politikat e demokracisë e barazisë por jemi të bindur se parimi i reciprocitetit dhe i barazisë në vendimmarrje janë garantuesit e sigurisë”.

“Duke qenë se shumë vite më parë e kishim të qartë se Kosova duhet të fokusohej në politikat e sigurisë ne e vendosëm një plan pune dhe u mobilizuam që në ditën e parë të punës. Këtë e bëmë me luftim të krimit të organizuar e korrupsionit”, ka thënë ai

Ai ka pohuar se kur po flitet për sigurinë në Kosovë, e gjithë bota po përballet me cenim të sigurisë, duke u mobilizuar më shumë me politika të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Edhe ne tashmë si eksportues të sigurisë dhe stabilitetit jemi pro politikave evropiane për të vendosur sanksione ndaj provokimeve të Rusisë e Bjellorusisë. Serbia nuk është rreshtuar kështu, ajo jo vetëm me sulme ndaj zyrtarëve të Kosovës por edhe verbalisht ka konfirmuar se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e politikave të Rusisë. Provokimet ruse vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë edhe sot”, ka thënë ai.

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ndërsa, ka thënë se kërkohet një vigjilencë e shtuar nga të gjitha organet e sigurisë.

“Përkundër që siguria jonë është sfiduar me metoda të ndryshme nga Serbia, situata në vendin tonë është stabile. Ne jemi siguruar që institucionet të jenë në nivel të lartë profesional. Ne jemi angazhuar që t’u krijojmë kushte pune policisë së Kosovës. Luftimi i çdo lloj krimi të organizuar mbetet synimi ndaj të cilit asnjëherë nuk do të bëjmë kompromis”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Strategjia për Sigurinë Kombëtare do të sillet shumë shpejtë në Kuvend.

Ai gjatë debatit, ka folur edhe për Fondin e Sigurisë për FSK-në, për çka tha se është një mbështetje për ushtrinë.

“Fondi i Sigurisë është një mbështetje plus, ju e dini se ushtria çfarëdo mbështetje që ka ushtria është e nevojshme. Strategjia nuk varet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, por është e gjithë Kosovës, andaj është në harmonizim e sipër dhe do të sillet shumë shpejt edhe në Kuvend”, theksoi Mehaj.

Ai konsideron se gjatë mandatit të tij qeverisës janë ngritur kapacitetet për blerjen ushtarake.

“Kemi ngritur kapacitetet për blerjen ushtarake më herët. Rritja e buxhetit tregon gatishmërinë e Qeverisë për forcimin e ushtrisë. Bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëveshje bilaterale ndërkombëtare, aftësinë por edhe përgatitjen e grupit ndër-institucional për rrugën drejt partneritet për paqe”.

Armend Mehaj.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Anton Quni, në seancën e Kuvendit ku është duke u diskutuar për sigurinë, ka adresuar disa prioritete që Qeveria duhet t’i ketë parasysh.

Sipas tij, ekzekutivi duhet të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes.

“Mendoj se me prioritet do të duhej të hartohen, miratohen dhe implementohen dokumente strategjike siç janë ajo e sigurisë nacionale dhe e mbrojtjes, të cilat si dokumente referuese do të shërbejnë për kompletimin e infrastrukturës ligjore në fushën e sigurisë. Kujdes i veçantë në zhvillim më të shpejtë të kapaciteteve të pota të gjithë institucione të sigurisë, siç janë personeli personal, infrastruktura fizike, pajisjet dhe funksionimi i tyre në tërësi”, ka theksuar ai.

Anton Quni.

Quni theksoi se në situata të krizave, duhet të ketë rezerva shtetërore.

“Në situatat kur ndonjë rrezik është në kohëzgjatje dhe intensitet të lartë duhet të kemi parasysh qëndrueshmërinë tonë: e kam fjalën për rezervat shtetërore siç janë derivatet, ushqimi, medikamentet, produktet higjienike”, ka thënë ai.

Edhe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të planit për siguri kombëtare.

Qalaj në debatin parlamentar për siguri në Kosovë, ka thënë se edhe qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë.

“Kosova dhe qytetarët e saj sot më shumë se kurrë më parë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë, sidomos në kontekstin rajonal dhe global. Në një kohë kur kërcënimet ndaj qytetarëve tanë janë serioze. PDK muaj më parë ka vlerësuar se kjo qeveri nuk ka pranë vetës një plan konkret se si të adresojë sigurinë kombëtare”, ka thënë ai.

Rashit Qalaj.

Deputeti opozitar u shpreh kritik edhe për fondin e sigurisë për ushtrinë.

“Kryeministri Kurti të raportojë për funksionimin dhe themelimin e këtij fondi, aq më tepër që nuk është bërë transparent mënyra e administrimit nga qeveria”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore