Lajme

Sveçla: Lista Serbe s’e gjen veten në një proces kaq demokratik


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në “Facebook” pas mbylljes së vendvotimeve në veri, tha se autoritetet kosovare ua dhanë qytetarëve serbë mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por që ata nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës, duke drejtuar gishtin nga Serbia për daljen e ulët të qytetarëve.

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces mund të konsiderohet i dështuar për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.

“Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen assesi veten në një proces kaq demokratik”, shkroi Sveçla, ndërsa përgëzoi institucionet për punën.

“Përgëzoj institucionet e sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore”, theksoi Sveçla. Ai shtoi se do të vazhdojnë angazhimin në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe për sigurinë e Kosovës.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Kreu i KQZ-së njoftoi se në Leposaviq votuan 124 qytetarë nga rreth 13 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok votuan 18 qytetarë nga rreth 6 mijë me të drejtë vote apo 0.26 për qind, në Zveçan s’ka votuar askush, ndërsa në Mitrovicë të Veriut votuan 111 qytetarë nga rreth 18 mijë me të drejtë vote apo 0.59 për qind – nuk është shënuar snjë incident.

Pas dëshitimit të votimeve të 21 prillit 2024 në pjesën veriore të territorit kosovar, ku nuk morën pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët aktualë shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore