Kosova

Sveçla: Kosova të mos jetë në listën e shteteve që përdoret si rrugë për aktivitete kriminale


Foto: Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën ndërkombëtarë “Aleanca globale për luftimin e kontrabandimit me migrantë”, që po mbahet në Bruksel ka diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Ministri në fjalimin e tij ka thënë se ka prezantuar të arriturat e Kosovës dhe fokusimin për shkatërrimin e rrjeteve të kontrabanduesve.

“Në fjalën time theksova se ky takim duhet të shërbejë si një nismë e një zotimi të përbashkët dhe një plani që fuqizon bashkëpunimin ndërkombëtar me fokus në shkatërrimin e rrjeteve të kontrabanduesve”.

“Gjithashtu, prezantova të arriturat e Kosovës në tre vitet e fundit si në hetim, arrestim të të dyshuarve dhe identifikim të viktimave duke ndikuar që Kosova të mos jetë në listën e shteteve që zakonisht përdoret si rrugë për aktivitete kriminale, përfshirë dhe kontrabandimin me migrantë”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se presidentja Ursula von der Leyen, ka pasur një kërkesë për të gjithë të pranishmit.

“Konferenca u hap me një fjalë rasti nga Presidentja Ursula von der Leyen, e cila kërkoi një zotim nga të gjithë me synimin e ndërtimit të një Aleance Globale kundër kontrabandës së qenieve njerëzore”.

“Bazuar në zotimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare, zotohemi se do të punojmë  ngushtë në zbatimin e nismave globale për një të ardhme më të sigurt, duke përfshirë aleancën për të luftuar kontrabandën me migrantë”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se Veriu i Kosovës ishte El Dorado për kriminelët në 20 vitet e kaluara.

Së fundmi Kosova, kishte parandaluar sulmin terrorist në Banjë më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri, tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova kishte akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore