Euro 2020

Super Gareth Bale, Uellsi me hap të madh drejt fazës me eliminim


Në “Olympic Stadium” të Baku-s, u zhvillua ndeshja e tretë e grupit A.

Turqia dhe Uellsi përballeshin në një ndeshje shumë të rëndësishme për të dy skuadrat.

Të parët luftonin për të mos “vdekur tërësisht”, kurse ishullorët për të mbetur ende në lojë.

Turqia “vdiq tërësisht”, kurse Uellsi u fut me të dy këmbët në lojë.

Nga një gol në secilën pjesë ishin të mjaftueshme për Uellsin, në një ndeshje që ofroi gjithçka.

Bale ishte figura kryesore e Uellsit, për të mirë, kurse Ramsey, edhe pse shënoi, nuk mund të thuhet se kishte një performancë aq të mirë.

Mesfushori i Juventus-it, në fundin e pjesës së parë, pas një super pasimi të Gareth Bale, shënoi golin e parë.

Por, para saj, ai kishte dy rasta të pastërta, që i shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme.

Uellsi e mbylli pjesën e parë me epërsi.

Në të dytën, pas humbjes së disa rasteve tjera nga Aaron Ramsey, Bale fitoi penallti.

Futbollisti i Real Madrid-it, befasisht, e dërgoi shumë larg portës penalltinë e tij.

Deri në fund, uellsianët kishin edhe shumë mundësi, duke neutralizuar tërësisht Turqinë.

Në të 94-ën, kur u duk se ndeshja po mbyllej me rezultatin 0-1, Bale ofroi magji përsëri.

Me një depërtim shumë të bukur në vijën fundore, ai u fut në zonë, duke gjetur të lirë Connor Roberts, që me lehtësi shënoi për 2-0.

Me katër pikë pas dy ndeshjeve, gjasat e Uellsit për avansim në fazën tjetër rriten në maksimum.

Ndoshta pas kësaj performance, Real Madrid-i nuk do të mendoj edhe aq shumë për shitjen e Gareth Bale.

Për pak, vjen ndeshje mes Italisë dhe Zvicrës, që me shumë mundësi, do të vendosë shumëçka për përfundim e grupit A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore