Lajme

Sundimi i ligjit është në rënie në të gjithë BE-në, paralajmëron raporti i Liberties


Në të gjithë Bashkimin Evropian, sundimi i ligjit është tkurrur.

Qeveritë vazhdojnë të dobësojnë kontrollet dhe balancat ligjore dhe demokratike.

Në të tillë përfundim ka dalë rrjeti kryesor i lirive civile, duke theksuar në veçanti një rritje të mprehtë të kufizimeve në të drejtën për të protestuar.

Liberties me qendër në Berlin ka thënë në raportin vjetor, të përpiluar me 37 grupe të të drejtave në 19 vende, se në demokracitë më të vjetra me parti kryesore në qeveri, si Franca, Gjermania dhe Belgjika, sfidat ndaj sundimit të ligjit mbetën sporadike.

Megjithatë, në demokracitë e krijuara prej kohësh, ku partitë e ekstremit të djathtë janë në pushtet, si Italia dhe Suedia, Liberties ka nxjerrë se përkeqësimi i shtetit të së drejtës, megjithëse gradual, rrezikon të bëhet sistematik.

Kurse në demokracitë e ri-krijuara së fundmi të BE-së, si Sllovakia, Sllovenia dhe Polonia, sundimi i ligjit “mund të luhatet me shpejtësi – ose drejt rimëkëmbjes ose drejt rënies”.

Balázs Dénes, drejtori ekzekutiv i Unionit të Lirive Civile për Evropën, ndryshe Liberties, ka thënë se raporti prej 600 faqesh tregon se BE-ja duhet të veprojë më shpejt kundër kthimit prapa të sundimit të ligjit.

“Ne jemi të alarmuar nga mungesa e analizave serioze të asaj që po ndodh në të vërtetë në disa vende”, ka thënë ai.

Sipas tij, masa të tilla si procedurat e shkeljes ose ngrirja e kushtëzuar e fondeve të BE-së mund dhe duhet të vendosen.

Por Brukseli është “si një kalimtar rastësor, ata nuk arrijnë të kuptojnë se disa qeveri po shkatërrojnë qëllimisht kontrollet dhe ekuilibrat”.

Rasti i Hungarisë, ku çështjet tashmë sistematike të sundimit të ligjit mbeten të pazgjidhura pavarësisht disa ndryshimeve legjislative, ka theksuar “se sa keq mund të kthehen gjërat”.

Në Francë, thuhet në raport, ndryshimet e pensioneve të vitit të kaluar “u miratuan në një proces legjislativ dukshëm jodemokratik” pasi qeveria përdori kompetenca të veçanta kushtetuese.

Kurse gazetarët në Gjermani tani përballen me ndjekje penale nëse publikojnë vendime gjyqësore që nuk janë të aksesueshme në mënyrë publike.

Në Itali dhe Suedi, qeveritë e të cilave respektivisht udhëhiqen dhe mbështeten nga partitë e ekstremit të djathtë, partnerët e Liberties raportuan regres të sundimit të ligjit në fusha duke përfshirë sistemin e drejtësisë, lirinë e medias dhe pluralizmin, hapësirën qytetare dhe të drejtat e njeriut.

Në Sllovaki, një kryeministër populist, Robert Fico, po “çmonton sistematikisht strukturat demokratike”.

Ndërsa në Slloveninë fqinje, një qeveri pro-demokratike po punon për të kthyer përpjekjet e vazhdueshme të paraardhësit të saj populist për të minuar normat demokratike.

Polonia, qeveria e re e së cilës po lufton për të rivendosur demokracinë liberale pas tetë viteve të kapjes së shtetit populist, ka ravijëzuar “sfidën e rivendosjes së shtetit të së drejtës pa thyer themelet shumë ligjore që kërkon të ringjallë”, sipas Liberties.

Fico i Sllovakisë ka thënë se ndryshimet e propozuara, duke përfshirë heqjen e një zyre prokurorie speciale që merret me korrupsionin e nivelit të lartë, janë të nevojshme për t’i dhënë fund paragjykimeve kundër partisë së tij Smer-SSD.

Por kritikët janë të mendimit se ndryshimet do të mbrojnë aleatët e tij politikë dhe të biznesit.

Kryeministri i ri i Polonisë, Donald Tusk, ka premtuar se do të rivendosë normat e BE-së për të zhbllokuar dhjetëra miliarda fonde të mbajtura nga Brukseli për akuzat e kthimit demokratik gjatë tetë viteve të qeverisjes nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi.

Megjithatë, përpjekjet e hershme të qeverisë së re për të dëbuar nacionalistët besnikë nga rolet kyçe dhe për të rivendosur neutralitetin në gjyqësor, media dhe organe të tjera kyçe shtetërore, janë kritikuar si të paligjshme nga drejtuesit e PiS, me disa ekspertë ligjorë që ngrenë gjithashtu dyshime.

Dénes ka thënë se një tregues i qartë i drejtimit të udhëtimit të qeverisë është qasja ndaj hapësirës qytetare, dhe veçanërisht trajtimi i të drejtave civile dhe OJQ-ve.

“Edhe vende si Franca dhe Gjermania po e kufizojnë këtë hapësirë”.

Mes kufizimeve të tjera të hapësirës qytetare, raporti ka nxjerrë në pah edhe kufizimet për protestat paqësore, të cilat ishin rritur ndjeshëm në disa vende në vitin 2023 – duke përfshirë ato që kishin mbështetur prej kohësh të drejtën për tubim paqësor.

Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Hungaria dhe Suedia të gjitha futën ndalime të protestave, shpesh për konfliktin Izrael-Gaza, sipas Liberties, me disa që kufizojnë gjithashtu lirinë e fjalës, veçanërisht në lidhje me mesazhet apo simbolet pro-palestineze.

Po ashtu protestuesit e klimës u veçuan nga autoritetet, veçanërisht në vendet e Evropës Perëndimore si Belgjika, Gjermania, Italia dhe Suedia, thuhet në raport, me arrestime dhe ndjekje penale për protesta jo të dhunshme të zakonshme dhe në rritje.

Raporti, në kapitullin për lirinë e medias, ka thënë se përqendrimi i pronësisë së medias ishte një shqetësim në shumë vende anëtare, siç ishin sulmet verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, të regjistruara në vitin 2023 në 10 vende anëtare të BE-së, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Suedinë.

Lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut, Liberties ka thënë se shpërfillja e të drejtave të refugjatëve dhe emigrantëve mbeti “një çështje e rëndë” midis shteteve anëtare të BE-së, me të ashtuquajturat shtytje të legalizuara në shumë raste dhe të drejtat e të miturve të pashoqëruar duke u rikthyer.

Raporti i ka përshkruar sistemet e drejtësisë si “të politizuara, të pafinancuara dhe të padrejta”, duke thënë se ndërsa vende si Suedia kishin ndërmarrë hapa për të depolitizuar proceset e përzgjedhjes gjyqësore, politizimi mbeti një rrezik në Francë, Gjermani, Greqi, Hungari dhe Sllovaki.

Gjithashtu ka paralajmëruar se në Gjermani, Belgjikë, Republikën Çeke dhe Sllovaki, mekanizmat e llogaridhënies në teori mund të lejojnë “ushtrimin e presionit politik nga dega ekzekutive mbi gjyqtarët” – veçanërisht nëse partitë ekstremiste do të vinin në pushtet.

Në Greqi, Itali dhe Sllovaki, politikanët kritikuan hapur vendimet e gjykatave ose dhanë udhëzime në çështjet në vazhdim, ndërsa refuzimi i qeverive për të zbatuar vendimet në rastet e azilit dhe mbrojtjes së kufirit arriti nivele rekord në Greqi dhe Belgjikë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore