Kosova

Sulmohet me gurë autobusi nga Kosova në Serbi


Autobusi i firmës “Fadili Tours” është sulmuar të shtunën me gurë në Nish të Serbisë derisa po udhëtonte drejt Gjermanisë.

Nga kjo kompani e kanë konfirmuar për mediat në Prishtinë se janë sulmuar, por kanë theksuar se kishte vetëm dëme materiale.

“Njëri prej autobusëve tanë që janë nisur sot nga Kosova në drejtim të Gjermanisë është sulmuar në territorin e Serbisë. Për fat të mirë, nuk ka asnjë të lënduar. Janë duke u marrë disa procedura dhe pastaj vazhdojmë rrugëtimin”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Ndryshe, gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, shqiptari me nënshtetësi norvegjeze Artan Zymberi kishte vdekur në burgun e Mitrovicës Sremit në Serbi, për të cilin familja Zymberi thotë se është vrarë vetëm sepse kishte tatuazh në gjoks Adem Jasharin, emblemën e UÇK-së dhe Skënderbeun.

Nexhat Zymberi, xhaxhai i të ndjerit, përmes një statusi në Facebook kishte treguar se i ndjeri ka qenë i dënuar me tre vite dhe po planifikohej të transferohej në Norvegji.

“Çka po di unë, e kanë zënë me do tableta, hapa, nuk e di as vet me çfarë hapa dhe u burgos atje. Dhe madje e kanë dënuar me tre vjet”, ka shkruar ai.

“Ne po dyshojmë se ky ka pasur, tatuazh, Adem Jasharin në gjoks, Skënderbeun në tjetrën anë, shqiponjën, ka pasur edhe emblemën e UÇK-së. Ky nuk e ka ditur as gjuhën serbe, se ai u lind e rritë në Norvegji. Kanë dyshime se serbët gjithçka bëjnë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore