Shqipëria

Sulmohet faqja e Albanian Post


Faqja e Albanian Post është sulmuar në orët e pasdites disa herë me radhë, duke shkaktuar rënie të sistemit për disa minuta dhe duke e lënë faqen disa herë në “blackout” dhe disa herë me lajme të seleksionuara në kryefaqe.

Sipas ekipit të informaticienëve që mirëmbajnë faqen e Albanian Post, nuk bëhet fjalë për një sulm të brendshëm, por të jashtëm.

Në një çast, në ballinën e Albanian Post, u shfaq vetëm një nga pesë lajmet me fotografinë përkatëse. Lajmi kishte të bënte me Vladimir Putin dhe ishte një raportim për deklaratat që ai u kishte adresuar zyrtarëve të tij.

Sipas raportimeve edhe nga media të tjera, ka pasur sulme të ngjashme. Ndër to kanë qenë edhe Dosja.al apo Mapo, të cilët e kanë konfirmuar ndërhyrjen në faqe.

Vendndodhja e saktë, nga ku është lëshuar sulmi, ende nuk është lokalizuar. Ekipi i Albanian Post po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Tashmë faqja është sërish në linjë dhe mund të aksesohet nga publiku.

Prej një jave, me fillimin e mësymjes ruse në Ukrainë, Albanian Post ka raportuar çdo ditë, 24 orë në përditësim live, situatën në rajonet e ndryshme të Ukrainës, duke informuar publikun me detaje për çdo ngjarje të lidhur me luftën mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore