Lajme

Sulm makabër në një kishë katolike në Nigeri – të paktën 50 të vdekur, mes tyre edhe fëmijë


Kisha Katolike e Shën Françeskut në Owo Nigeri. ©: Rahaman A Yusuf/AP Photo

Të paktën 50 besimtarë – përfshirë shumë fëmijë – kanë mbetur të vdekur nga një sulm në Kishën Katolike të Shën Françeskut në shtetin jugperëndimor Ondo.

Persona të armatosur hapën zjarr dhe shpërthyen eksplozivë, ndërsa besimtarët ishin mbledhur për meshën e shenjtë të dielën.

Adelegbe Timileyin, e cila përfaqëson qytetin Owo ku ndodhi sulmi, tha se të paktën 50 njerëz u vranë.

Një mjek, në një spital në Owo, shpjegoi se jo më pak se 50 trupa ishin zhvendosur në Qendrën Mjekësore Federale të Owo-s dhe Spitalin Katolik St Louis.

Autoritetet nuk dhanë menjëherë një numër zyrtar të vdekjeve dhe asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për sulmin e së dielës.

Sakaq, në videot e publikuara duken adhuruesit e kishës të shtrirë në pellgje gjaku, ndërsa njerëzit përreth tyre vajtonin.

Owo është 345 km (215 milje) në lindje të qytetit më të madh të Nigerisë, Lagos.

Guvernatori i Ondo-s, Rotimi Akeredolu, tha se autoritetet po angazhonin çdo burim në dispozicion për t’i gjuajtur këta sulmues dhe për t’i bërë ata të paguajnë.

©: Rahaman A Yusuf/AP

Ai e ka quajtur sulmin “të poshtër dhe satanik”.

Ndërsa shumica e Nigerisë ka luftuar me çështjet e sigurisë, Ondo njihet gjerësisht si një nga shtetet më paqësore të vendit.

Presidenti nigerian Muhammadu Buhari dënoi “vrasjen e tmerrshme të besimtarëve”.

Vatikani tha se Papa Françesku po lutej për viktimat e sulmit, të cilët ishin “të goditur me dhimbje në një moment festimi”.

Zëdhënësja e policisë së shtetit, Ibukun Odunlami, deklaroi se numri i të vdekurve ishte ende i paqartë.

Vendi më i populluar i Afrikës ka dëshmuar sulme dhe rrëmbime për shpërblim nga bandat e armatosura, kryesisht në veriperëndim të tij. Sulme të tilla janë të rralla në Nigerinë jugore.

Autoriteti katolik në shtet mohoi se peshkopi dhe priftërinjtë ishin rrëmbyer, siç sugjerohej në mediat sociale.

Zëdhënës i Kishës Katolike në Nigeri, Reverend Augustine Ikwu, tha se peshkopi dhe priftërinjtë nga famullia i mbijetuan sulmit të padëmtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore