Lajme

Suedia duhet t’i bashkohet NATO-s sa më shpejt për të shmangur kërcënimin rus, thotë ministri i Mbrojtjes


Suedia duhet të bëhet plotësisht anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s “sa më shpejt të jetë e mundur” për të shmangur kërcënimin nga Rusia.

Kështu ka thënë Ministri suedez i Mbrojtjes teksa në Stokholm shtohet padurimi për rrugën e ngadaltë drejt pranimit.

Pål Jonson ka thënë se ai nuk ishte në gjendje të vendoste një afat kohor për përfundimin e procesit të miratimit të NATO-s të Suedisë.

Por ishte i bindur se Turqia dhe Hungaria, dy anëtarët e mbetur për të ratifikuar anëtarësimin e vendit, do ta bënin këtë përfundimisht.

“Ne nuk duam ta fshijmë Rusinë si një kërcënim, sepse Rusia ka treguar dëshmi të qëndrueshmërisë. Kështu që ne duhet t’i përmbahemi asaj dhe këtë e bëjmë në mënyrën më të mirë duke forcuar dobësitë tona kombëtare dhe duke u integruar plotësisht në NATO sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Jonson.

Suedia paraqiti kërkesën e saj në NATO në të njëjtën kohë me Finlandën në maj 2022, të dyja vendet hoqën dorë nga neutraliteti i tyre ushtarak pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin.

Në prill të këtij viti, 11 muaj më vonë, Finlanda u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s.

Por Suedia është ende në pritje të miratimit të Turqisë dhe Hungarisë.

Jonson ka thënë se kishte mbështetje të fortë për aplikimin e Suedisë midis aleatëve të NATO-s.

Suedia, sipas tij, i ofroi NATO-s “thellësi më të mirë strategjike dhe burime të rëndësishme ushtarake”.

Në korrik, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ra dakord që të përcillte protokollin e pranimit të Suedisë në parlament sa më shpejt të jetë e mundur pas bisedimeve me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.

Por javën e kaluar, komiteti i punëve të jashtme të Turqisë ka thënë se po e shtynte verdiktin e tij, duke thënë se çështja nuk ishte ende gati për vendim.

Po ashtu ka paqartësi rreth synimeve të Hungarisë, megjithëse Jonson ka thënë se Budapesti e kishte siguruar Stokholmin se “nuk do të jenë vendi i fundit që do të na ratifikojë”.

Hungaria javën e kaluar ka njoftuar se nuk ishte gati të ratifikonte Suedinë, pavarësisht se kryeministri Viktor Orbán, kishte thënë më parë se miratimi ishte vetëm një çështje teknike.

Pavarësisht këtyre vonesave, Jonson, një anëtar i partisë së Moderuar, ka thënë se ai mbeti i sigurt për të ardhmen e Suedisë në NATO.

“Ne do të jemi aleatë dhe jam i sigurt se do të jemi aleatë”, ka theksuar ai.

“Ne jemi më të sigurt tani sesa ishim përpara se të kërkonim anëtarësimin në NATO përmes garancive të sigurisë që kemi marrë nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vendet e tjera nordike”.

Jonson ka treguar se ka qenë në kontakt me kolegët e tij finlandezë për tensionet e fundit në kufirin ruso-finlandez, ku autoritetet finlandeze kanë akuzuar Moskën se ka ndihmuar në lehtësimin e kalimit të një numri në rritje të azilkërkuesve.

Finlanda, ka thënë ai, mbeti “partneri më i afërt politik i Suedisë në siguri dhe mbrojtje”.

Gjithashtu ai ka shtuar se “kjo marrëdhënie do të vazhdojë të jetë krejtësisht qendrore dhe është një kontribut shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.

Komentet e Jonson erdhën në prag të një samiti dy-ditor të ministrave të Mbrojtjes nga të gjithë shtetet nordike dhe baltike në Stokholm, si pjesë e Bashkëpunimit Nordik të Mbrojtjes (Nordefco).

Duke e përshkruar takimin si historik, Jonson ka thënë se do të shënonte herën e parë që ministrat e Mbrojtjes nga të dy rajonet do të mblidheshin për të biseduar rreth rregullimeve të sigurisë dhe zgjidhjeve të sigurisë për kohë paqeje, krize dhe lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore