Sport

Studimi i fundit: Kupa e Botës dyvjeçare, 180 miliardë dollarë fitim në 16 vite


Dy studime të pavarura fizibiliteti parashikuan se nëse Kupa e Botës do të organizohej çdo dy vjet do të sillte të ardhura shumë të larta për 210 shoqatat anëtare të FIFA-s. Këtu përfshihet edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Futbollit Kosovës.

Rezultatet e “Nielsen” dhe “OpenEconomics”, u prezantuan në Samitin Global të FIFA-s, pak ditë më parë, ku morën pjesë 207 nga 210 shoqatat anëtare.

Samiti u organizua për konsultimin mbi kalendarët e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit të femrave dhe meshkujve që skadojnë përkatësisht në 2023 dhe 2024.

“Ne jemi këshilluar nga ekspertë të pavarur se kalimi në një Kupë Botërore dyvjeçare do të siguronte një të ardhur shtesë të kombinuar prej 4.4 miliardë dollarësh, për katërvjeçarin e parë”, tha Gianni Infantino, kreu i FIFA-s.

“Këto të ardhura shtesë do të lejojnë që fondet e solidaritetit të rriten nga niveli aktual prej 6 milionë dollarësh për cikël në 25 milionë dollarë të mundshëm mesatarisht për çdo shoqatë anëtare të FIFA-s, brenda katërvjeçarit te parë”, shtoi 51-vjeçari.

Do të krijohej një fond solidariteti prej 3.5 miliardë dollarësh me të ardhura që do t’u shpërndaheshin të gjitha federatave. Duke injektuar kështu mesatarisht deri në 16 milionë dollarë për secilën federatë.

Hulumtimi i “Nielsen”, i cili është fokusuar në çështjet financiare, arriti në përfundimin se nëse konfederatat transferojnë finalet e meshkujve në një cikël dyvjeçar, rritja e përgjithshme për futbollin botëror do të ishte në masën 6.6 miliardë dollarë në katër vitet e para.

Ndërkohë, studimi i “OpenEconomics” i fokusuar në perspektivën makroekonomike arriti në përfundimin se kalimi në një cikël dyvjeçar për Kupën e Botës FIFA për meshkuj do të prodhonte një rritje të produktit të brendshëm bruto (PBB) prej më shumë se 180 miliardë dollarë gjatë një periudhë 16-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore