Lajme

Studime të reja mbi origjinën e virusit


Ndërkohë që ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) po gërmon për gjetjen e origjinës së virusit, shkencëtarë të tjerë kanë zbuluar të dhëna për evoluimin e tij të natyrshëm te njerëzit.

Të paktën, katër studime të kohëve të fundit kanë identifikuar coronavirus-in të lidhur ngushtë me llojin pandemik te lakuriqët e natës në Azinë Juglindore dhe Japoni.

Një studim tjetër sugjeron që një ndryshim, në një aminoacid të vetëm te një përbërës kryesor i  virusit, mundësoi ose ndihmoi që ai të bëhet infektues te njerëzit.

Aminoacidet janë përbërje organike që formojnë proteina.

Zyrtarët e shëndetit publik thonë se është e rëndësishme të identifikohet origjina e pandemisë për të ndërmarrë hapa, për të shmangur shpërthimet në të ardhmen, megjithëse mund të duhen vite për ta bërë këtë.

Këto studime të fundit shtojnë provat se virusi, i quajtur SARS-CoV-2, ka të ngjarë të ketë origjinën te lakuriqët e natës dhe, më pas, ka evoluar natyrshëm për të infektuar njerëzit, ndoshta përmes një kafshe ndërmjetëse.

Disa zyrtarë dhe shkencëtarë amerikanë kanë thënë që mundësia se virusi u përhap si rezultat i një aksidenti laboratorik, nuk mund të përjashtohet.

Instituti i Virologjisë Wuhan ka një laborator të sigurisë së lartë që kryen kërkime mbi coronavirus-in e lakuriqëve.

Ajo mohon të ketë ruajtur ose bërë kërkime mbi SARS-CoV-2, para se të fillonte pandemia dhe thotë se, “ruan standardet më të larta të sigurisë dhe se asnjë nga stafi i tij nuk ka rezultuar pozitiv nga virusi”.

Por disa shkencëtarë dhe zyrtarë amerikanë duan që instituti të ndajë të dhënat e tij të sigurisë dhe të dhënat e para për të gjitha kërkimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore