Lajme

Studentët mund t’i humbin ligjëratat nëse nuk vaksinohen


Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Studentët në Universitetin e Prishtinës, gjatë ditës së premte kanë filluar t’i ndjekin ligjëratat në universitetet publike dhe private të Kosovës.

Por, ata që nuk janë të imunizuar me vaksinën anti -COVID-19, nuk do të kenë mundësi për t’i vijuar ligjëratat në universitete.

A.Agushi studente në vitin e parë në fakultetin e Juridikut në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka treguar për Albanian Post se është njoftuar nga administrata e Universitetit se nuk do të lejohet të ndjekë ligjëratat me prani fizike nëse nuk e dëshmon se është e vaksinuar, duke prezantuar kartelën e vaksinimit.

“Na kanë thënë që duhet të prezantoni dëshmi së paku për një dozë të vaksinës”, ka thënë Agushi për Albanian Post.

“Për mua nuk është problem sepse unë tashmë i kam marrë të dy dozat e vaksinës, por kam kolegë që akoma nuk i kanë marrë as një dozë”, ka treguar më tej Agushi.

Agushi ka treguar se nga ora tetë e mëngjesit të së premtes janë paraqitur në objektin e Universitetit për të ndjekur të gjitha rregullat që u kërkohen në mënyrë që të fillojnë me ndjekjen e ligjëratave.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë pohuar se studentët i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim.

Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë treguar se shumica e studentëve janë vaksinuar me dy doza të vaksinës anti COVID-19.

“Studentet kanë qenë një kategori që i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim dhe dëshmi për këtë është numri i madh i dozave të administruara tek kjo kategori”.

Sipas të dhënave, “137 mijë 677 doza të vaksinës kundër COVID-19 janë administruar tek kategoria e deklaruar si studentë, me rastin e vaksinimit dhe aplikimit për vaksinë”.

“Kjo tregon që shumica prej tyre i kanë marrë nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për IndeksOnline.

Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kishte thënë se tha se ligjëratat do të zhvillohen fizikisht por do të ndahen studentët në grupe dhe duke u respektuar distanca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore