Kosova

Studentët e UP-së protestojnë kundër Asociacionit


Protesta e studentëve në Prishtinë kundër Asociacionit.

Një numër i madh i studentëve të cilët po protestojnë kundër Asociacionit, janë nisur nga oborri i Bibliotekës Kombëtare drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më brohoritjet, “Zajdenica nuk kalon” në oborrin e Univeristetit të Prishtinës është protestuar nga parlamenti i studentëve të këtij universiteti, të mërkurën.

“Bashkë kundër Asociacionit”, “Vuçiç = Putin”, “Nuk falet toka që është ujitur me gjak”, “S’pranojmë Asociacion që na bosnjëzon”, ishin vetëm disa nga pankartat në këtë marsh protestues kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Parlamenti Studentor do të organizojë marsh që e kundërshton Asociacionin, protesta nuk ka për qëllim të kundërshtojë qeverinë, opozitën apo faktorët të tjerë që operojnë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Bleron Beka, nënkryetar i parlamentit studentor dhe njëri nga organizatorët e kësaj proteste në një prononcim për Albanian Post.

Këtë të mërkurë, Parlamenti i studentëve do të mbajë një marsh në Prishtinë me fillim nga ora 16:00.

Arsyeja e këtij marshi, siç është thënë nga vetë organizatorët  – ka për qëllim kundërshtimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni është i dëmshëm për Republikën e Kosovës, realisht Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk po krijohet për më shumë të drejta për komunitetin serb – të cilat veçse i kanë tashmë, por po krijohet për instalimin e pushtetit serb në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai për AP

Tutje, sipas Bleron Bekës, Asociacioni do të përdoret si mjet për interferimin e Qeverisë së Serbisë në Republikën e Kosovës – shtet të cilin nuk e njeh.

Protesta e studentëve në Prishtinë kundër Asociacionit.

“Çka realisht këtu është kontraverse për shkak se statuti i këtij Asociacioni do të mund të ndryshohet nga një kuvend që do të krijohet nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka shpjeguar më tej ai.

Gjithashtu, ai potencoi se një nga arsyet se pse Asociacioni nuk është i pranueshëm për neve si student, ka të bëjë më superioritetin që ai jep një etnie të veçantë – e cila është e papranueshme për faktin se Kosova është shtet multietnik.

Ndërkaq, Beka nënvizoi se ky marsh “kryekëput ka të bëjë vetëm me kundërshtimin tonë si studentë” kundër një të keqe që po i kanoset Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë nxitje nga ndonjë parti politike.

“Sa i përket prapavijës politike, ka tendenca që marshin tonë studentor ta politizojnë, por realisht marshi është vetëm kundër Asociacionit, s’ka të bëjë as me parti politike dhe as me bindje politike të njërit apo tjetrit student”.

Ndryshe, është njoftuar se do të këtë organizim të autobusëve për transportin e protestuesve pa pagesë nga komunat e ndryshme të Kosovës, e lidhur me këtë Beka ka bërë të ditur për AP-në se kjo është bërë “me baza vullnetare të kompanive”.

“Nuk janë shpenzuar të holla për transport, kemi kontaktuar kompani të autobusëve, secila na ka vënë në dispozicion nga një ose dy autobusë. Të gjitha kanë qenë në baza vullnetare të kompanive”.

Parlamenti studentor udhëhiqet nga dy organizata studentore, Reforma dhe Studim, Kritik, Veprim. Kjo e fundit njihet për afërsinë e saj me partinë në pushtet.

Ky marsh, vjen në kohën kur ndërkombëtarët kanë shtuar presionin kundrejt Kosovës, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar si një obligim që vetë Kosova e ka nënshkruar në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë kundërshtarët më të zëshëm të Asociacionit gjatë kohës sa kanë qenë në opozitë.

Mirëpo, në seancën parlamentare të dy shkurtit, Kurti tha se Asociacioni mund të bëhet nëse plotësohen gjashtë kushtet e vendosura nga ai.

“Studentët kundër Asociacionit”, Beka për AP: S’jemi të nxitur nga ndonjë parti politike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore