Lajme

Studentët e Kosovës “absolutisht kundër” vendosjes së afganëve në konvikte


Qendra e studentëve

Ende nuk është dhënë asnjë detaj nga institucionet e Kosovës për ardhjen dhe strehimin e afganëve në Kosovë, por ditëve të fundit, jo zyrtarisht, është përmendur si mundësi për vendosjen e tyre Qendra Studentore në Prishtinë.

Por, Parlamenti Studentor po e kundërshton vendimin për vendosjen e refugjatëve në konvikte.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, tha për Albanian Post se ende nuk kanë pranuar asnjë informacion nga institucionet përkatëse dhe që kjo nuk është hera e parë që organi më i lartë i studentëve po anashkalohet.

“Ne fatkeqësisht nuk e kemi pranuar asnjë informacion zyrtar nga institucionet për këtë lajm, tash po dëgjojmë nga mediat. Ne përfaqësojmë 40 mijë studentë dhe do të duhej të ishim të informuar për këtë gjë”, ka thënë Azizi.

Ai thekson se në rast se diçka e tillë del që të jetë e vërtetë Parlamenti Studentor është kundër këtij vendimi.

“Jemi absolutisht kundër dhe jemi të bindur që të gjithë studentët janë në këtë nismë në të cilën do ta ndërmarrim, të jemi të qartë se ne jemi pro të gjithë refugjatëve që kërkojnë azil politik në Kosovë duhet të vijnë, por që konviktet nuk janë vendi adekuat për këtë gjë”.

Azizi deklaron se edhe vitin e kaluar kur janë strehuar të infektuarit me COVID-19 në konvikte, janë shfaqur probleme në mbajtjen e mësimit te studentët.

“Prandaj ka qendra të shumta, në të cilat mund të strehohen ata”.

Ai iu bëri thirrje institucioneve përkatëse që të mos e marrin një vendim të tillë.

“Tetori është shumë afër dhe studentët duhet të qëndrojnë aty, me atë metodën që e kemi bërë edhe vitin e kaluar, në rast se nuk merret parasysh zëri i studentëve e dimë pastaj se çfarë do të ndodh”.

Përmes kësaj ai nënkupton se, “do të ndodhin kundërshtime më të mëdha, që besojë që janë legjitime dhe janë plotësisht në anën tonën siç janë protesta, bojkot, por që ende nuk i kanë planifikuar”.

Detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë

Të martën e 17 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

“Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët, derisa kishte një vizitë rutinë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Ndërkaq, të dielën, më 15 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Osmani tha, “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Gjithashtu, ajo deklaroi se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.

Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë dhe vendi se ku do të qëndrojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore