Kosova

Stoltenberg në Sarajevë: Jemi të shqetësuar për ndërhyrjen malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor


Jens Stoltenberg dhe Borjana Krishto

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, të hënën në Sarajevë, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare dhe aleatët e NATO-s janë shumë të shqetësuar për ndërhyrjen dashakeqe të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Sot kemi diskutuar për situatën e sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më gjerë në rajon. Aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ne jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe ndërhyrjet e jashtme, veçanërisht ndëryhrjet malinje të Rusisë. Kjo kërcënon të cenojë stabilitetin”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka deklaruar vazhdimisht se Bosnjë dhe Hercegovina, së bashku me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, përket në mesin e vendeve që meritojnë vëmendje të veçantë nga NATO, veçanërisht pas kërcënimeve secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Serbisë dhe Rusisë.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe jemi të përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon. NATO-ja është përkushtuar për vite të tëra për stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë. Prandaj ne jemi duke thelluar bashkëpunimin dhe dialogun politik”, ka thënë ndër të tjera ai.

Shefi i NATO-s do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ndërsa do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, në dritën e kërcënimeve secesioniste dhe minimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit (1995).

Në të njëjtën ditë (20 nëntor), ai do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të takohet me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani-Sadriu dhe Albin Kurti – ndërsa do të vizitojë edhe kampin e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), ku do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe do t’u adresohet për një fjalim rasti paqeruajtësve.

Stoltenberg në Kosovë – përgjigje ndaj sfidave të sigurisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore