Lajme

Stoltenberg në Kosovë – përgjigje ndaj sfidave të sigurisë


Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit do të qëndrojë edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe situatën e rënduar të sigurisë në rajon.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë duhet parë jo si një vizitë e rëndomtë, por si një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë dhe sidomos pas përpjekjeve të shtuara të Rusisë që nëpërmjet Serbisë të shtrijë ndikimin në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.

Shefi i NATO-s do të takohet të hënën me Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti – ku pritet të adresohet vizioni i pakontestueshëm gjeostrategjik i Kosovës sa i përket integrimeve euro-atlantike dhe sigurisht, rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi – dy fqinjëve armiqësorë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale.

Stoltenberg, pas vizitës në Sarajevë, Prishtinë, Beograd dhe Shkup, do të marrë pjesë në një takim të përbashkët me aleatët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç; Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, pritet të marrin pjesë në këtë takim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizita e Stoltenbergut në Prishtinë, duhet parë si sinjal për angazhimin e palëkundur të NATO-s për sigurinë e Kosovës, në dritën e kërcënimeve ndaj sigurisë, duke parë nëpërmjet lenteve të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka lëshuar një paralajmërim ogurzi për të ardhmen.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se Bashkimi Evropian (BE) edhe zyrtarisht ka ekspozuar synimet e Rusisë për të provokuar konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka shtuar se në shërbim të parandalimit të rrezikut të përshkallëzimit dhe ngjitjes drejt ekstremeve, duhet që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe integrim në NATO.

“Vizita e ardhshme e Stoltenbergut në Kosovë tregon angazhimin e vendosur të NATO-s për sigurinë tonë. Pas ekspozimit të synimeve të Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor nga ana e BE-së, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është dhënia e statusit kandidat për Kosovën për anëtarësim në BE dhe integrim në NATO”.

Duke filluar nga harku i krizës që shtrihet nga marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, Azerbajxhanit e Armenisë, luftës në Ukrainë, deri në konfliktin e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, mundësitë për shkatërrim dhe përfshirje të të gjithëve janë shtuar kaq frikshëm – se kërcënimi i luftës është bërë një ankth për liderët përndimorë, duke e bërë edhe më akute ndjenjën e frikës.

Në kohën kur përpjekjet e diplomatëve perëndimorë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë intensifikuar, presidenti Zelenskyy i ka bërë thirrje botës perëndimore për përshpejtimin e zgjidhjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor, përpara se Rusia të rindezë një zjarr të madh. Dhe, synimet e Rusisë janë konfirmuar edhe nga BE-ja.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme. Shpërqëndrimi i dytë do të jetë Ballkani. Nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër ‘shpërthim’ të tillë dhe përsëri, kjo s’do të jetë një histori e re”, ka alarmuar presidenti Zelenskyy gjatë një bashkëbisedimi me disa gazetarë në Afrikë.

E pikë kthese prej konflikteve të papërfunduara në rajon do të duhej të ishte arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pikërisht për shkak të të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut për paqe është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Megjithatë, pothuajse në mënyrë paralele me përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për arritjen e një marreveshjeje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë, janë duke vazhduar edhe përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet Serbisë të zgjerojë fushëveprimin e të shtrijë ndikimin në rajon, posaçërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në ndërkohë, kryeministri Kurti ka deklaruar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, derisa ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, i cili ka organizuar dhe kryer sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Kjo, përtej dimensionit spekulativ, mund të dëshmohet edhe nga alarmi i George Friedmanit, një ndër analistët më të njohur të gjeopolitikës në botë, i cili para një jave ka thënë: “Dëgjova nga dy persona në të cilët kam shumë besim se Serbia po përgatitet për luftë… Shpresoj që këto burime të jenë të pasakta, por mendoj se do të ndodhë dhe do të përhapet përtej Ballkanit”.

Perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor. Dhe, vizita e Stoltenbergut vjen pikërisht në kohën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore