Lajme

Stoltenberg ‘fshikullon’ Kinën, pasi Pekini mbështet propagandën ruse


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë një paralajmërim të qartë dhe fshikullues Pekinit zyrtar, duke i reflektuar se nëse propaganda ruse vijon të mbështetet prej presidentit Xi Jinping, do të ketë pasoja.

“Kina refuzon të dënojë agresionin e Rusisë dhe i bën jehonë propagandës ruse dhe mbështet ekonominë e saj”, tha Stoltenberg i prerë, pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s, i cili u mbajt në Bruksel.

Po ashtu, ai e përshkroi një dhënie potenciale ndihme nga ana e Kinës për Rusinë, si një gabim historik dhe me implikime të mëdha, për superfuqinë lindore.

“Deri më tani nuk kemi qenë në gjendje të konfirmojmë ndonjë ofrim të ndihmës vdekjeprurëse, por kjo është diçka që ne e ndjekim me shumë vëmendje. Nuk ka asnjë arsye për të hyrë në detaje, por Kina e di se do të ketë pasoja të rënda”, e ritheksoi shefi i aleancës rishtazi “kërcënimin” ndaj palës kineze.

Nga ana tjetër, prej Jinping dhe administratës së Pekinit, është mohuar çdo lloj implikimi i mundshëm, sa i takon mbështetjes së Rusisë në çështjen e luftës në Ukrainë.

Kina, sipas zyrtarëve të lartë, as nuk i ka dhënë dhe as do t’i japë ndihma të drejtpërdrejta ushtarake Moskës.

Megjithatë, nuk është fshehur në asnjë sekondë fakti se dy presidentët, Vladimir Putin dhe Jinping, ndajnë përtej një miqësie të afërt në vitet e fundit, edhe një vizion të përbashkët për një botë të re multipolare.

Prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Kremlini ka gjetur gjithnjë e më pak hapësirë për të tregtuar naftën, burim kryesor të ardhurash ky, për të financuar luftën.

Ishte pikërisht Kina, ajo e cila mori përsipër shtimin e importeve nga Rusia, duke arritur edhe pika të larta historike në mbyllje të vitit 2022.

Teksa, plani kinez me 12 pika, i propozuar nga Jinping për të mbyllur përgjithnjë luftimet dhe për t’iu rikthyer paqes, nuk është ende konkretisht në një tavolinë negociuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore