Shqipëria

Steinmeier mbërrin në Presidencë, mirëpritet me ceremoni zyrtare


Presidenti Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka mbërritur në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, ku është mirëpritur nga homologu i tij Bajram Begaj.

Në vijim të agjendës zyrtare, dy krerët e shtetit do të kenë gjithashtu dhe një konferencë të përbashkët për shtyp pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura.

Udhëtimi, sipas njoftimit të ambasadës gjermane, është një sinjal i mëtejshëm se Gjermania po mbështet dhe ndjek intensivisht rrugën evropiane të rajonit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti.

Presidenti Steinmeier ka patur mundësinë të njihej me Tiranën dhe të zhvillonte bisedime në detyrën e tij të mëparshme si Ministër i Jashtëm.

Kjo është hera e parë në 27 vjet që një president gjerman viziton Republikën e Shqipërisë.

Programi i udhëtimit përfshin bisedime me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama si dhe një fjalë në Kuvend.

Gjithashtu është planifikuar një takim me nxënës/e nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të hidhet dritë mbi potencialet ekonomike dhe mundësitë në Shqipëri.

Presidenti gjerman vizitoi më herët edhe Maqedoninë e Veriut, ku ka qëndruar dy ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore