Lajme

Statistikat e skemave sociale, Mitrovica prin me numrin më të madh


Kërkesa për skema sociale ka shënuar rritje në Kosovë, bazuar në të dhënat e fundit nga Agjencia Kosovare e Statistikave.

ASK ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë të vitit 2021, ku janë prezantuar të gjitha kategoritë që përfitojnë pensione nga shteti.

Qyteti për numrin më të madh të qytetarëve që janë në skema sociale është Mitrovica me 2 mijë e 438 familje, apo 9.3 për qind e numrit të përgjithshëm të atyre që përfitojnë.

“Bazuar në gjendjen e muajit mars 2021, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 26 mijë e 298 familje. Numri më i madh i familjeve ishte në komunën e Mitrovicës me gjithsej 2 mijë e 438 apo 9.3 për qind e numrit të përgjithshëm”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë periudhës janar, shkurt dhe mars të vitit 2021, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 26 mijë e 298 familje me gjithsej 105 mijë e 296 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 405 familje.

Kosova ka 142 mijë e 92 qytetarë që përfitojnë nga skema e pensioneve bazike kur i mbushin 65 vjet.

“Bazuar në gjendjen e muajit mars të vitit 2021, numri i përfituesve nga skema e pensioneve bazike të moshës ishte 142 mijë e 92. Numri më i madh i përfituesve ishte në komunën e Prishtinës me gjithsej 14 mijë e 556 apo 10.2 për qind e numrit të përgjithshëm”.

“81 për qind nga 142 mijë përfitues të pensionit të moshës janë nacionalitetit shqiptar, ndërsa 19 për qind nacionalitete tjera”, thuhet në raport.

Buxheti i Republikës së Kosovës i miratuar në Kuvend për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove. Ky është edhe buxheti më i madh që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Ndërkaq, baza e politikave sociale në Kosovë, përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Çdo vit nga buxheti i Kosovë ndahen deri në 400 milionë euro për skema sociale dhe pensione që hyjnë mbi 420 mijë qytetarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore