Sport

“Sporti prioritet i qeverisjes – Do të jetë urë lidhëse me arsimin”


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komunitetin sportiv për të diskutuar për sportin dhe rëndësinë që ka, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij do ta ketë prioritet.

Ky event ishte organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, ku të pranishëm ishin Hajrullah Çeku e organizata të ndryshme sportive.

Kryeministri Kurti e veçoi sportin si kulturë të përgjithshme të popullsisë, dhe tha se nevojitet masivizimi dhe shkëlqimi i tij.

Ai më tej ka deklaruar se infrastruktura sportive është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe se do të trajtohet me prioritet nga qeveria e udhëhequr nga ai.

Tutje kryeministri shtoi se dëshmi se qeveria do e prioritizoj sportin është se, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, sporti dhe zhvillimi do të jenë pjesë e Strategjisë Nacionale për Zhvillim.

Ai po ashtu foli edhe për “urën lidhëse” mes sportit dhe arsimit, ku tha se sporti dhe arsimi duhet të jenë të ndërlidhura me njëra tjetrën.

“Ura lidhëse në mes sportit dhe arsimit edhe si veprimtari shoqërore edhe si institucionale shtetërore, duhet të jetë e fuqishme, sepse asisoj i zbulojmë herët talentet e i mbështesim me kohë, dhe e bëjmë sportin trend e kulturë për të gjithë”, ka deklaruar Kurti për fund.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore