Lajme

Spitali i Pejës përballet me mungesë të infektologëve


Spitali i Pejës.

Në Spitalin e Pejës, mungesa e infektologëve po e bën edhe më të vështirë përballjen me COVID-19 edhe pse gjendja aktuale me pacientë të prekur nga ky virus është stabile.

Kështu ka bërë të ditur, Kushtrim Krasniqi, kardiolog pranë Spitalit të Pejës, në një prononcim për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

“Në spitalin e Pejës kemi mungesë të infektologëve. Aktualisht është vetëm një mjek, specialist infektolog dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi mjekë të tjerë që i bashkëngjiten spitalit të Pejës dhe repartit të infektives”, tha Krasniqi.

Ndërsa, shtoi se aktualisht janë dy pacientë me Coronavirus me gjendje stabile.

“Aktualisht kemi vetëm dy pacientë të infektuar me virusin COVID-19, të cilët janë të shtrirë në repartin e infektives dhe gjendja momentale e tyre është stabile. Normalisht janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe terapi tjetër protokollare, e cila zbatohet në Kosovë”.

Spitali i Pejës.

“Për momentin kemi shtretër të mjaftueshëm për pacientë të tjerë me këtë virus, që për momentin normal ka rënë edhe fluksi i pacientëve me këtë virus”.

Gjithashtu, thekson se nuk ka pasur asnjëherë mungesë të barnave e as masave mbrojtëse gjatë kohës së pandemisë.

“Mungesë të barnave nga lista esenciale nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë gjatë kësaj kohe të pandemisë, pra vazhdimisht kemi pasur barna nga lista esenciale që hyn për trajtimin e pacienteve me COVID-19. Fatmirësisht prej fillimit të pandemisë kemi pas vazhdimisht mjete mbrojtëse për trajtimin e këtij virusi, pra asnjëherë nuk kemi pasur mungesë në këtë aspekt”, tha ai.

Më 27 shkurt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, ka humbur jetën një person dhe janë regjistruar 81 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 699 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 403 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore