Lajme

Spinaqi i kontaminuar shkakton halucinacione te konsumatorët në Australi


Në Australi, spinaqi i kontaminuar ka shkaktuar një alarm urgjent shëndetësor pasi njerëzit që e konsumuan atë pësuan sëmundje të rënda dhe halucinacione.

Nëntë persona kanë pasur nevojë për kujdes mjekësor pasi kanë ngrënë spinaqin e Riviera Farms nga Costco.

Referuar autoriteteve shëndetësore, simptomat e tyre kanë përfshirë gjithashtu delirium, rrahje të shtuara të zemrës dhe shikim të paqartë.

Riviera Farms beson se spinaqi ishte kontaminuar nga barërat e këqija, por asnjë produkt tjetër nuk është prekur.

New South Wales Health ka paralajmëruar se çdo pako me spinaq të markës me datë skadimi më 16 dhjetor nuk është e sigurt për t’u konsumuar dhe duhet të hidhet.

Po ashtu ka nxitur këdo që ka përjetuar ndonjë simptomë të pazakontë pasi ka ngrënë spinaqin që të kërkojë menjëherë kujdes spitalor.

“Askush nuk ka vdekur, kështu që ne jemi shumë të lumtur me këtë dhe shpresojmë që të mbetet kështu, por këta njerëz janë mjaft të sëmurë deri në pikën e halucinacioneve të theksuara, ku po shohin gjëra që nuk janë”, ka thënë doktor Darren Roberts.

Sakaq, një zëdhënës i Riviera Farms ka thënë se ata kishin marrë masa menjëherë, duke kërkuar nga dyqanet që t’i hiqnin pakot nga raftet.

“Nuk ka asnjë sugjerim dhe në dijeninë tonë nuk ka mundësi që ndonjë produkt tjetër të jetë ndikuar nga barërat e këqija”, kanë thënë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore