Lajme

Specialja s’e konfirmon lirimin me kusht të Gucatit


Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e kanë konfirmuar se kanë aprovuar kërkesën e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, për lirim me kusht nga burgu në Hagë.

“Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha Zëdhënësi i Speciales Michael Doyle për Albanian Post.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se avokatët të Gucatit i kanë konfirmuar atij se Specialja do të lirojë me kusht Gucatin nga burgu.

“Dje kam biseduar me avokatët dhe më kanë treguar që është marrë vendimi për lirimin e Hysni Gucatit. Ai pritet të vije në Kosovë javën e ardhshme”, tha ai.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Gucati e Haradinaj ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Klinaku thotë se Specialja e ka liruar Gucatin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore