Lajme

Spanja s’ndryshon qëndrim – vazhdon të mos e njoh Kosovën


Spanja vazhdon të mos e ndryshojë pozicionin e saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, derisa këshilltarja për komunikimin në Ministrinë për Çështje të Jashtme të Spanjës, Elena Aljarilla Cortezón, ka thënë për REL-in se “është koha që të bëhen përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”

Ajo ka theksuar se “çështja e territorit të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tutje, nga Madridi zyrtar është vlerësuar takimi i 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por është potencuar se ende ka punë për arritjen e një marrëveshje  e cila do të normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rezultati i takimit të 27 shkurtit ishte hap përpara, por ende ka punë për t’u bërë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve bazuar në propozimin e BE-së, që është mirëpritur nga Këshilli Evropian në shkurt. Edhe pse është pozitive që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi janë pajtuar për tekstin e propozimit pa asnjë ndryshim, nuk do të ketë marrëveshje të fortë pa pasur një plan të qartë se si do të zbatohet”.

Ndryshe, Spanja është një nga pesë vendet mosnjohëse të Kosovës e që janë pjesë e Bashkimit Evropian, së bashku me Greqinë, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë.

Ndërkaq, me 27 shkurt, në takimin e mbajtur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqesuesit të lartë të BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borell – u deklarua nga ky i fundit se palët janë pajtuar se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Gjithashtu, takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiç-it do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut – ku do të diskutohet për aneksin e zbatimit të planit evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore