Shqipëria

Spanja heq kufizimet me Shqipërinë, lëvizja tërësisht e lirë


Spanja është bërë shteti i radhës që ka hequr të gjitha kufizimet e lëvizjeve me Shqipërinë.

Nga pala spanjolle nuk do të kërkohen as testi negativ i COVID-19 dhe as certifikatë vaksinimi.

Gjithçka duhet plotësuar, është një Formular i Kontrollit Shëndetësor.

Më 18 qershor, Këshilli i Evropës shpalli një listë të gjelbër të vendeve me të cilat rekomandon heqjen e kufizimit të lëvizjeve. Ndër to ishte dhe Shqipëria.

Kjo u bë e mundur falë situatës së mirë epidemiologjike në vend në dy muajt e fundit. Rastet kanë rënë në kuota minimale dhe fushata e vaksinimit vijon me sukses, ku po afrohet shifra e 1 milion të vaksinuarve.

Ndër vendet e para të Bashkimit Evropian, të cilat kanë hequr kufizimet, kanë qenë Gjermania dhe Austria. Franca, po ashtu, i ka hequr kufizimet me Shqipërinë. Por, në këto vende, kërkohet test negativ ose certifikatë vaksinimi me dozat e njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Greqia ishte ndër vendet që pasuan. Ndryshe nga vendet e tjera, Greqia njeh edhe vaksinimin me dozat nga kinezët e Sinovac dhe rusët e Sputnik V.

Një pjesë e mirë e shqiptarëve janë të vaksinuar me këto doza.

Listës së vendeve që dhanë dritën jeshile u është shtuar edhe Danimarka, Holanda dhe Republika Çeke.

Në këto vende sërish kërkohet certifikata e vaksinimit ose testi negativ i Covid-19. Një tjetër opsion është ai i një dokumenti mjekësor, i cili garanton se personi ka krijuar antitrupa.

Këto dokumente duhet të jenë të përkthyera në gjuhën angleze ose në gjuhët amtare të shteteve, drejt të cilëve do të udhëtojnë.

Ndërsa, më 26 qershor, kufizimet pa kushte i hoqën edhe Belgjika me Zvicrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore