Sport

Spanja gjen pasuesin e Enrique-s


Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, nuk arriti ta çojë ekipin e tij përtej fazës së 1/8-ve të finales në Kupën e Botës.

Spanjollët u eliminuan në këtë fazë nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive, derisa pritej më shumë nga ta, sidomos pas nisjes së mirë të turneut, duke e mposhtur Kosta Rikën me shifrat 7:0.

Enrique-s i skadon kontrata me kombëtaren iberike në muajin e ardhshëm dhe sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, drejtuesit e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë një akord të ri.

Sipas “Cadena SER”, RFEF tashmë e ka gjetur edhe pasuesin e ish-legjendës së Barcelonës.

Marcelino Garcia Toral pritet që së shpejti ta marrë drejtimin e kombëtares spanjolle, posa t’i mbarojë kontrata Enrique-s.

57-vjeçari ka një eksperiencë të madhe në La Liga, aty ku ka drejtuar klube si Athletic Bilbao, Valencia, Villareal dhe Sevilla.

Ai fitoi Kupën e Mbretit me Valencia-n në vitin 2019 dhe Superkupën e Spanjës me Bilbao-n dy vite më vonë.

Marcelino qëndron pushim prej muajit qershor pas ndarjes nga klubi i Bilbao-s, ndërkohë që ulja në pankinën e Kombëtares do të ishte realizimi i një ëndrre.

Sa i përket Enrique-s, ai është trajner i Spanjës që nga vera e vitit 2018. Deri më tani, 52-vjeçari e ka drejtuar kombëtaren e tij në 47 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka marrë 26 fitore, 14 barazim dhe shtatë humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore