Shqipëria

SPAK sekuestron pasuritë e Redjan Rrajës dhe familjarëve të tij


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar pasuritë e shtetasit Redjan Rraja dhe familjarëve të tij.

Kjo pas regjistrimit të procedimit pasuror më datë 22 janar i këtij viti.

Pasuritë e sekuestruar janë:  apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë, 3 njësi tregtare në Tiranë, 2 garazhe, 2 automjete të tipit “Audi – A8”,  automjet i markës “Bentley” tipi Continental, një orë dore tip “Roleks” dhe shuma prej 2 mijë e 750 Euro.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Hetimet vazhdojnë me qëllim evidentimin e pasurive të tjera që shtetasi Rraja dhe persona të tjerë të lidhur mund të kenë në zotërim apo në pronësi.

Rraja Redjan është i akuzuar për atentatin, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, të plagosur Aleksandër Laho dhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Drejt makinës së prokurorit u qëllua me breshëri automatiku.

Pas kësaj makina doli nga rruga, dhe humbi jetën shoferi i prokurorit, 30-vjeçari Maloku, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Dy të akuzuarit kryesorë të ngjarjes janë Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj.

Më herët, seanca gjyqësore ndaj Rrajës dhe Halilajt u shty për shkak të mungesës së një prej të pandehurve dhe prokurorit Ndoja, i cili është palë e dëmtuar në proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore