Shqipëria

SPAK kërkon burg përjetë për Ardian Çapjan, 25 për Florenc Çapjan


Prokuroria e Posaçme SPAK ka dhënë zyrtarisht pretencën për Ardian dhe Florenc Çapjan, duke kërkuar për të parin burg përjetë dhe për të dytin, 25 vite burgim.

E gjithë kjo lidhet me një rast të vitit 2012, kur në Elbasan u vranë babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri.

Gjatë një operacioni të zhvilluar më 29 mars 2021, ishin efektivët e forcave RENEA si edhe të njësive të ndryshme policore, ato të cilat zhvilluan një aksion në Elbasan, ku si rezultat kapën Ardian Çapjan, si edhe shpallën në kërkim Florencin.

Të dy ata, dyshohen si autorët e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit.

Nga ana tjetër, janë kërkuar dënime edhe për katër persona të tjerë, të cilët mendohet se janë të përfshirë në ngjarje.

Përkatësisht, burg përjetë kërkohet për Olsi Lekun, 20 vjet për Klajdi Dokolin, po aq për Etien Canin dhe gjashtë vjet për Ervis Bardhin.

Ndërkohë që Ardian Çapja është i burgosur në Shqipëri, Florenci nga ana tjetër, ende mendohet se gjendet në Dubai, ku pavarësisht se nga drejtësia shqiptare është kërkuar ekstradimi drejt Tiranës, autoritetet e Dubait nuk e kanë pranuar këtë gjë dhe gjithçka ka përfunduar duke e lënë atë në liri.

Në fund të muajit janar 2023, po me kërkesë të SPAK, u konfiskuan pesë ambiente – katër banesa dhe një aktivitet tregtar, si dhe 4 mijë e 710 metra katrorë sipërfaqe toke – në emër të Florenc Çapjas.

Ai është një prej anëtarëve kryesore të grupit ‘Çapja’ në Elbasan.

E gjitha vjen si rezultat i hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore