Lajme

Sondazh i AP-NORC: Të paktë janë amerikanët që besojnë se demokracia po funksionon si duhet


Sipas një sondazhi nga agjencia e lajmeve Associated Press (AP) dhe Qendra për Kërkime të Çështjeve Publike (NORC), një pjesë e vogël e  amerikanëve besojnë se demokracia po lulëzon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Vetëm 16% e amerikanëve thonë se demokracia po funksionon mirë ose jashtëzakonisht mirë. Kjo shifër tregon pesimizmin që ka përfshirë të gjithë spektrin politik.

Gati gjysma e amerikanëve, 45%, mendojnë se demokracia nuk po funksionon si duhet, ndërsa 38% të tjerë thonë se po funksionon disi mirë.

Elementet thelbësore të një qeverie demokratike, siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe transferimin paqësor të pushtetit, u vendosën në provë nga pretendimet e pabazuara të ish-presidentit, Donald Trump-it, për manipulim të zgjedhjeve.

Këto pohime të manipulimit ishin një shkak rrënjësor i dhunës vdekjeprurëse në Capitol muajin e kaluar. Ky sulm dëmtoi reputacionin e vendit si një model për demokracinë.

Trump do të përballet me një gjyq të dytë në Senat këtë javë për rolin e tij në nxitjen e dhunës. Gjysma e amerikanëve janë të mendimit se Senati duhet të dënojë ish-presidentin republikan.

Gjetjet e sondazhit janë përgjithësisht në përputhje me mënyrën se si amerikanët e vlerësuan demokracinë përpara zgjedhjeve.

Sulmet e Trump-it ndaj procesit demokratik, patën jehonë edhe tek republikanët.

Në përgjithësi, rreth dy të tretat e amerikanëve thonë se Joe Biden-i u zgjodh president në mënyrë legjitime. Vetëm një e treta e republikanëve e mbajnë këtë pikëpamje.

Ky debat po zhvillohet në Kongres, me një ndarje të qartë midis udhëheqësve republikanë si senatori Mitch McConnell, Liz Cheney dhe të tjerët që kanë hedhur poshtë pretendimet e Trump-it dhe kanë vërtetuar fitoren e Biden-it. Më shumë se 140 republikanë të Dhomës refuzuan të pranojnë fitoren e Biden-it.

Zyrtarë të lartë republikanë deklaruan se zgjedhjet ishin të drejta, edhe në shtetet si Arizona dhe Georgia, ku votimet vendosin fatin e fituesit. Pretendimet e Trump-it u hodhën poshtë në gjykatë, duke përfshirë gjyqtarët e caktuar nga ai vetë dhe nga ish-prokurori i tij i përgjithshëm, William Barr.

Biden, një demokrat, është zotuar të përdorë fuqinë e presidencës për të promovuar idealet demokratike.

Në një nga provat e para të këtij angazhimi, ai ishte i shpejtë për të dënuar udhëheqësit ushtarakë që bënë një grusht shteti javën e kaluar në Myanmar.  Ai kërcënoi se do të vendosë sanksione për ngjarjen e ndodhur.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se administrata e Biden-it është “thellësisht e shqetësuar” nga burgosja e liderit të opozitës Alexei Navalny, në Rusi.

70% e amerikanëve, thonë se besojnë se Biden-i respekton institucionet demokratike. Por mes amerikanëve ekziston dhe një ndarje politike. Rreth 96% e demokratëve thonë Biden-i i respekton institucione të tilla, krahasuar 42% të republikanëve.

Sondazhi zbuloi se 7 në 10 amerikanë besojnë se presidenti Biden, i respekton institucionet dhe traditat demokratike. Ndërsa vetëm 4 në 10 amerikanë besojnë të njëjtën gjë për Donald Trump-in.

62% thonë se ish-presidenti ka pak ose aspak respekt për traditat ose institucionet demokratike.

Pavarësisht pikëpamjeve të paqarta se si po qeveriset SHBA-ja sot, sondazhi gjen optimizëm të shtuar për të ardhmen e vendit.

Gati 49% e amerikanëve besojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, krahasuar me 37% në dhjetor dhe 25% në tetor. Optimizmi arriti një vlerë të ulët, verën e kaluar, ku shënon 20%.

Pjesa më e madhe e rritjes së optimizmit erdhi nga demokratët, të cilët janë të sigurt te aftësia e Biden-it për të qeverisur dhe menaxhuar krizat me të cilat po përballet vendi.

Sondazhi i AP-NORC me 1 mijë e 55 të rritur u krye në periudhën janar-shkurt 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore