Shqipëria

Socialistët “pa vendim”, Ornaldo Rakipi mbetet pjesë e Grupit të PS-së?


Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk doli me një qëndrim zyrtar lidhur me “fatin” e deputetit Orlando Rakipi.

Rrjedhimisht ky i fundit, mbetet ende pjesë e Grupit Socialist edhe pse ky fakt ende nuk është konfirmuar nga mazhoranca.

Mediat kanë arritur të zbardhin një deklaratë të kreut të këtij grupi parlamentar, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij para pjesëmarrësve në takim, Balla ka theksuar se PS-ja i respekton “vendimet e Shteteve të Bashkuara”, duke iu referuar si “aleat strategjik”.

Kjo, sipas tij, është ajo që e dallon këtë forcë politike nga partitë e tjera – mungesa e “standardeve të dyfishta”.

“Babai im është super i pastër”.

Kjo do të ishte deklarata e deputetit socialist, Orlando Rakipi, fill pas vendosjes në listën e zezë të SHBA-ve të babait të tij, Aqif Rakipi.

Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja do të sanksiononte më 11 prill Rakipin dhe biznesmenin Ylli Ndroqi.

Përpara mediave Rakipi theksoi se ata si familje janë “pro amerikane”.

Duke mohuar se ai dhe babi i tij kanë lidhje me krimin e organizuar, Rakipi theksoi se do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga politika për t’u përballur me drejtësinë.

Arsyet e vendimit

Sipas vendimit, Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.

Për të, grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.

Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.

Në të listohet se ai ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë.

Po ashtu, Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.

Departamenti amerikan shkruan se Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij.

Kjo, për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.

Gjithashtu, ai ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri.

Kështu, ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore